Fjuri konfirmon: Ky është viti im, gati të godas sërish me grushte

Tajson Fjuri ka njoftuar se do të rikthehet sërish të boksojë këtë vit, gati një vit pasi njoftoi tërheqjen e tij të fundit nga ringu. Ai u mund në revanshin ndaj Oleksandr Usyk në dhjetor 2024 dhe më pas deklaroi tërheqjen e tij nga ringu, ndërsa tani ndryshoi sërish mendje.

“Kam qenë larg për një kohë, por jam kthyer tani, 37 vjeç dhe ende gati të godas me grushte. Nuk ka asgjë më të mirë për të bërë sesa të godasësh njerëzit në fytyrë dhe të paguhesh për këtë“, u shpreh në një deklaratë në rrjetet sociale boksieri britanik, ish-kampion bote në peshën e rëndë.

Kjo nuk është hera e parë që Fjuri vendos të tërhiqet dhe më pas të rikthehet në ring. Ai deklaroi se do të tërhiqej pasi mundi Dillian Uajtin në prill 2022, për t’u rikthyer më vonë gjatë po atij viti. Më tej, në mesazhin e tij, Fjuri sqaron.

“2026 është viti im, kthimi i kampionit”.

Muajt e fundit, emri i Tajson Fjuri është lidhur vazhdimisht me një duel të shumëpritur kundër patriotit të tij Entoni Xhoshua, një tjetër ish-kampion bote në peshën e rëndë. Planet janë për një duel në verën e këtij viti, por aksidenti që Xhoshua pësoi në Nigeri mund t’i prishë ato.

LEXO EDHE:

Back to top button