Fjuri vë veto: Sfida Xhoshua-Uajllder, nuk zhvillohet në mbrëmjen time

Boksieri britanik Tajson Fjuri ka deklaruar se nuk do të lejojë që në të njëjtën mbrëmje që ai dhe Usyk do të përballen për të unifikuar titujt kampionë bote në peshën e rëndë, të duelojnë edhe Deontej Uajlder me Entoni Xhoshua. Kjo sfidë mes Fjurit dhe Usyk është planifikuar për më 23 dhjetor, në Arabinë Saudite. Fjuri tha se është e turpshme që para sfidës së tij të madhe me Usyk, të duelojnë edhe dy ish-kampionë bote.
“Është shumë e turpshme kur ke një ish-kampion bote të peshave të rënda që të lutet për një duel. Të lutet që të duelojë në të njëjtën mbrëmje me ty”, tha Tajson Fjuri për mediat.
Prej kohësh përflitet që para sfidës Fjuri-Usyk të zhvillohet edhe dueli mes Xhoshua-s e Uajllderit, por britaniku vë veton.
“A është Xhoshua një fëmijë apo çfarë? Ai dëshiron të vijë dhe të duelojë në duelet e dorës së dytë në mbrëmjen time? Ai kundër Uajllderit? Jo!
Shkoni dhe merrni shfaqjen tuaj në një vend dhe ditë tjetër”, tha Tajson Fjuri.