Foda shpalos listën kundër Norvegjisë, vërehen dy rrisi

Franko Foda ka publikuar listën me futbollistët e ftuar për përfaqësuesen e Kosovës.
“Dardanët” do të luajnë ndeshje miqësore me Norvegjinë në Oslo, derisa Foda ka grumbulluar 23 futbollistë për këtë duel miqësorë.
Me këtë rast janë grumbulluar tre portierë si: Arijanet Muric, Visar Bekaj dhe për herë të parë Mustafë Abdullahu që luan te Tirana.
Foda ka ftuar shtatë mbrojtës si: Mërgim Vojvoda, Florent Hadergjonaj, Amir Rrahmani, Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti dhe Leart Paqarada.
Ndërkohë në repartin e mesfushës janë grumbulluar vetëm katër futbollistë si: Valon Berisha, Lindon Emërllahu, Blendi Idrizi dhe debutuesi Art Smakaj.
Reparti ofensivë është i mbipopulluar, pasi këtu janë grumbulluar hiq më pak se nëntë futbollistë si: Edon Zhegrova, Bernard Berisha, Vedat Muriqi, Altin Zeqiri, Drilon Hazrollaj, Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani, Muhamet Hyseni dhe Elbasan Rashani.
Në ora 14:00 gjatë ditës së sotme përzgjedhësi Foda do të mbajë konferencë për shtyp.