Fondi konstaton keqpërdorime në më shumë institucione shëndetësore, Klekovski: Prokuroria të veproj
Fondi konstaton keqpërdorime në më shumë institucione shëndetësore, Klekovski: Prokuroria të veproj

Gazetare: Ajnur Bafqari
Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FGSSH) ka konstatuar keqpërdorime të shumta në më shumë institucione shëndetësore në vend. Sasho Klekovski në intervistën për Alsat, tha se janë dorëzuar kallëzime penale për 6 drejtorë. Klekovski pret që prokuroria të veprojë më shpejtë, ndërsa thekson se disa herë ka kontaktuar autoritetet për të pyetur se deri ku janë hetimet.
“Bëmë gjithçka që këto raste t’i prezantojmë para policisë dhe në mënyrë indirekte para prokurorisë publike dhe tani më duhet të them se topi është në duart e prokurorisë.
-domethënë keni dorëzuar kallëzime penale?
-Po.
-Sa kallëzime penale keni dorëzuar?
-Për momentin mendoj se një tashmë është aktive, për një drejtor në shtëpinë e shëndetit në Makedonski Brod. Për momentin mendoj se janë 6 kallëzime për drejtorë, domethënë gjithandej bëhet fjalë për drejtorë. Megjithatë më duhet të them se ka ngadalësim në reagimin e Prokurorisë Publike”, deklaroi Sasho Klekovski, Drejtor I fondit për sigurim shëndetësor.
Ai nënvizoi se bëhet fjalë për një drejtor të një institucioni shëndetësor në Tetovë, ndërkohë që 5 të tjerët janë nga Shkupi. Klekovski sqaroi se bëhet fjalë për parregullësi dhe keqpërdorime individuale dhe strukturore, ku mes tjerash, persona të vdekur posedojnë sigurim shëndetësor, ndërsa ka gjetje të falsifikimeve të dokumenteve ku mjete që u takonin disa personave u janë paguar personave të tjerë.
“Një është nga Tetova dhe të tjerët janë nga Shkupi… Nga ana tjetër kemi probleme strukturore, persona të vdekur që udhëhiqen si persona me sigurim shëndetësor, persona të zhvendosur që kanë sigurim shëndetësor, që keqpërdoren në mënyra të ndryshme, ose rritje të numrit të pacientëve”, tha Sasho Klekovski, Drejtor I fondit për sigurim shëndetësor.
Problem tjetër me të cilat ballafaqohen institucionet shëndetësore është edhe borxhi I institucioneve shëndetësore. Sasho Klekovski tha borxhi arrin në 5 miliardë denarë. /Alsat.mk