Forcat izraelite të mbrojtjes thonë se e kanë ndarë Gazën në dy pjesë
Forcat izraelite të mbrojtjes thonë se e kanë ndarë Gazën në dy pjesë

Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë dhe i kanë vazhduar bombardimet e pareshtura, tha zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Sipas tij trupat arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”. Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, është tani plotësisht i rrethuar, shtoi ai.
“Forcat izraelite rrethuan qytetin e Gazës. Trupat arritën në det, në pjesën jugore të qytetit të Gazës dhe rrethuan qytetin e Gazës. Sot ka Gaza veriore dhe Gaza jugore. Ne do të vazhdojmë ta lejojmë një korridor në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i forcave izraelite.
Hagari tha se Izraeli ka sulmuar mbi 2,500 objektiva që nga fillimi i operacionit të tij tokësor një javë më parë. Ai shtoi se trupat izraelite po godasin objektivat e Hamasit si mbi tokë poashtu edhe në rrjetin nëntokësor të tuneleve.
Ndërkohë një aeroplan jordanez ka hedhur nga ajri pajisje mjekësore jetike dhe ushqim në një spital fushor në Rripin e rrethuar të Gazës. Lajmi u konfirmua nga vetë Izraeli dhe Jordania.
Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulmeve në qytete të Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 njerëz të tjerë. Prej atëherë, Izraeli është duke e sulmuar Rripin e Gazës nga ajro, deti dhe toka, në përpjekje për ta rrënuar Hamasin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, mbi 10.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite. /Alsat.mk