Forcat ruse mbyllin Mariupolin

Forcat ruse mbyllin Mariupolin

Rusia ka vazhduar sulmet në shumë qytete të Ukrainës. 5 raketa u raportuan në qytetin perëndimor Lëviv, ndërsa në shënjestër të bombardimeve ruse u vu edhe kryeqyteti Kiev.

Në Harkivin lindor, të paktën 5 vetë u vranë e 13 të tjerë u plagosën.

Në Mariupol, ku trupat ukrainase refuzuan ultimatumin për t’u dorëzuar gjatë fundjavës, forcat ruse kanë vendosur mbylljen e qytetit, duke penguar hyrjet dhe daljet.

Rusët kanë nisur të shpërndajnë leje kalimi të posaçme në Mariupol dhe njerëzit janë vënë në radhë për t’i marrë ato.

Moska pretendon se ka marrë kontrollin e shumicës së qytetit, ndërsa autoritetet ukrainase thonë se qyteti ende nuk ka rënë dhe se ushtarët do të luftonin deri në fund.  Ministri i Jashtëm ukrainas tha se rusët kishin vendosur të rrafshonin plotësisht Mariupolin.

Sulmet vijojnë edhe në rajonin lindor të Donbas. Në mesazhin e tij të fundit, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski paralajmëroi për një ofensivë të madhe në lindje të Ukrainës, me qëllimin për ta shkatërruar Donbasin. Qytetarët në Luhansk janë urdhëruar të evakuohen menjëherë sipas mediave në Ukrainë.

“Trupat ruse po përgatiten për një ofensivë në lindje të vendit tonë, që do të nisë në të ardhmen e afërt. Duan praktikisht ta shkatërrojnë dhe t’i japin fund Donbasit. Ne po bëjmë gjithçka për të siguruar mbrojtjen”, tha presidenti ukrainas Zelensky.

Zelensky theksoi se nuk do t’ia lëshojnë Rusisë Donbasin, ndërsa i bëri thirrje Perëndimit për më shumë armë. “Çdo vonesë në dërgimin e armëve ka lejuar Rusinë të në vrasë”, tha Zelensky.

LEXO EDHE:

Back to top button