Franca e vendosur të njohë Palestinën, dënon Izraelin për situatën e “pajustifikueshme” në Gazë
Franca e vendosur të njohë Palestinën, dënon Izraelin për situatën e “pajustifikueshme” në Gazë

Franca është “e vendosur” ta njohë një shtet palestinez, ka thënë ministri i saj i Jashtëm, teksa ka dënuar Izraelin për situatën e “pajustifikueshme” në Gazë, të krijuar nga fushata ushtarake dhe nga bllokada e saj humanitare. Kryediplomati francez, ka thënë, po ashtu, se Parisi mbështet një iniciativë të udhëhequr nga Holanda për një rishikim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Izraelit, që mund t’i prekë marrëdhëniet politike dhe ekonomike. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka lënë të hapur mundësinë që Franca të bëhet vendi evropian i radhës që njeh një shtet palestinez, gjatë një konference të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në qershor. “Ne nuk mund t’ua lëmë fëmijëve të Gazës një trashëgimi dhune dhe urrejtjeje. Prandaj, e gjithë kjo duhet të ndalet, dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi të vendosur ta njohim një shtet palestinez”, ka thënë Barrot. “Dhe, unë jam duke punuar aktivisht për këtë, sepse ne duam të kontribuojmë për një zgjidhje politike në interes të palestinezëve, por edhe për sigurinë e Izraelit”, ka shtuar ai. /Alsat.mk