Frikë nga sulme të tjera të mundshme në Kabul

Pas bombardimeve, është e qartë se kërcënimi më i madh i sigurisë në Afganistan tani është Shteti Islamik, komentojnë sot mediat botërore. Afganët janë të shqetësuar nga dy shpërthimet e djeshme në aeroport që vranë rreth 100 njerëz, përfshirë 13 trupa amerikanë. Megjithatë, pavarësisht tensioneve, fluturimet vazhdojnë ndërsa Presidenti amerikan Bajden paralajmëroi hakmarrje për gjakderdhjen e djeshme.

“Ata që kryen sulmet dhe kushdo që dëshiron ta dëmtojë Amerikën, duhet ta dijë. Ne nuk do ua falim, nuk do harrojmë! Do t’ju gjuajmë dhe do t’ju bëjmë të paguani!”, tha Xho Bajden, President i Shteteve të Bashkuara,

Dënimet për sulmet erdhën pothuajse nga e gjithë bota. Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar pasi afrohet 31 gushti, dita kur ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Afganistani. Deri atëherë, ekspertët e sigurisë presin sulme të reja.

“Situata është shumë e vështirë. Fluturimet ndoshta do të vazhdojnë, siç tha presidenti, por do të ndodhë në një atmosferë shumë të rrezikshme. Duke pasur parasysh suksesin e bombarduesve të ISIS-it, mund të priten përpjekje të reja tani e tutje deri në periudhën tjetër …”, theksoi Riçard Fontejn, Qendra për Sigurinë e Re Amerikane.

Ngjarjet në Kabul kanë ndikim tjetër, respektivisht ndikim të madh në skenën e brendshme politike në Amerikë. Ish presidenti Donald Tramp po zhvillon fushatë të ashpër kundër Bajdenit ndërsa dëgjohen edhe kërkesa për impiçment. Në një emision televiziv mbrëmë, Tramp tha se nëse do të kishte qenë president, sulmi i djeshëm nuk do të kishte ndodhur, as talibanët nuk do të kishin hyrë në Kabul.

“Kemi mbajtur gjithçka nën kontroll para se të vinte Bajdeni dhe në të të shohin dobësi. Bajdeni nuk bën asgjë. Pastaj ata e pushtuan vendin dhe e shkatërruan reputacionin e Amerikës, tokës sonë të lavdishme të luftëtarëve të jashtëzakonshëm. Ata edhe më tej janë luftëtarë të mëdhenj, por kanë nevojë për udhëheqje që nuk e kanë tani”, tha Donald Tramp, ish President i Shteteve të Bashkuara.

Ndryshe, në terren në Afganistan, talibanët dhe Shteti Islamik janë rivalë. Pasi talibanët hynë në Kabul, grupe të ndryshme xhihadiste i përgëzuan, por jo edhe Shteti Islamik. Sipas pikëpamjes së tyre, talibanët Sheriatin e interpretojnë në mënyrë jo aq rigoroze dhe prandaj i konsiderojnë si renegatë, ndërsa rivaliteti i tyre ka arritur kulmin me nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje me Uashingtonin nga ana e talibanëve vitin e kaluar.

Ivan Bllazhevski

LEXO EDHE:

Back to top button