Fronti Europian me dallime të mëdha sa i përket njësive zgjedhore, Sela kundërshton modelin
Fronti Europian me dallime të mëdha sa i përket njësive zgjedhore, Sela kundërshton modelin

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Dallime të mëdha mes partnerëve në Frontin Europian për modelin e ri zgjedhor. Përderisa BDI është për ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, kreu i ASH-së Ziadin Sela u shpreh kategorisht kundër kësaj ideje pasi sipas tij kjo lëvizje do të ulte numrin e deputetëve shqiptarë.
“Ne jemi kundër një njësie zgjedhore, jemi për tetë njësi zgjedhore sepse është e studiuar, do të sillte zhvillim. Jemi kundër për shkak rrethanave demografike që kemi. Jemi kundër sepse asnjë subjekt politik shqiptar nuk ka shtrirje në të gjithë territorin e Maqedonisë Veriore dhe si e tillë është e dëmshme dhe vetëm mund të çonte në zvogëlim të numrit të deputetëve shqiptarë. Jemi për lista të hapura, jemi për diasporën që të votojë me postë prej shtëpisë së tyre dhe ta sjellin me postë votën këtu”, deklaroi Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.
Por në BDI nuk mendojnë si Sela. Deputeti i Integristëve Ilir Hasani tha vihet në pikëpyetje vetëm një deputet shqiptar
“Vihet në pikëpyetje vetëm një deputet shqiptar, plus ose minus”, tha Ilir Hasani, Deputet i BDI-së.
Hasani tha se në organet partiake prej vitesh e diskutojnë modelin me një njësi zgjedhore dhe me prag zgjedhor
“Si diskutim edhe në BDI vite të tëra diskutohet për një njësi zgjedhore. Së shpejti edhe ne do të marrim një vendim për “ofertën e kryeministrit” që e ofroi në tavolinë që të bëhet një njësi zgjedhore mirëpo në atë një njësi zgjedhore duke e kyçur edhe diasporën”, u shpreh Ilir Hasani – BDI.
Për dallim nga tani kur BDI e “përqafon” idenë e kryeministrit Mickoski për një njësi zgjedhore, në vitin 2019 BDI ishte kundër modelit me një njësi zgjedhore madje duke dorëzuar 5 mijë amendamente për ta bllokuar të njëjtën.
“…..simulimet flasin se shqiptarët dëmtohen nga një njësi zgjedhore. Ju keni bërë kalkulimet me projeksionet e anketave të fundit ose me rezultatet e zgjedhjeve të fundit por nuk e keni paraparë pragun zgjedhor. Nuk ka në botë shtet me një njësi zgjedhore pa prag zgjedhor, qoftë 3% ose 5%”, tha Bujar Osmani – BDI.
Përkundër dallimeve të theksuara në Frontin Europian, në VLEN thonë se në diskutim janë mundësitë për një, tre ose tetë njësi zgjedhore
“Me një njësi zgjedhore sigurisht që do të duhet të ketë garanci që në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të mund të rruhet vota dhe nuk do të mund të ketë deformime të realitetit etnik, përfaqësimit në Kuvend dhe duke marrë parasysh të gjitha këto aspekte, ne jemi duke ndërtuar qëndrimin tonë nëse do të jemi për një njësi zgjedhore, për tre apo për tetë sepse në VLEN janë parti politike të cilat në të kaluarën kanë pasur analizat e tyre”, theksoi Bilall Kasami – VLEN.
Përpos Mickoskit, propozime konkrete në Kuvend për ndryshime në kodin zgjedhor dorëzuan Partia Liberal Demokrate e Monika Zajkovës dhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit. /Alsat.mk