Fronti opozitar, kallëzim për korrupsion në BDI
Fronti opozitar, kallëzim për korrupsion në BDI

Partitë e Frontit të Bashkuar Opozitar kanë dorëzuar në Komisionin Antikorrupsion një kallëzim lidhur me dyshimet për korrupsion dhe konflikt të interesit në relacionit e BDI-së me Bashkimin Demokratik për Integrim me kompaninë EUROVIA, e cila paraqitet edhe si donatore e kësaj partie. “Kjo kompani është donatore kryesore e BDI-së, duke i dhënë asaj rreth 70.000 EURO vetëm në vitin 2022. Në anën tjetër, pikërisht kjo kompani ka marrë tender në vlerë prej 1.8 milion euro nga Ministria e Jashtme, e cila drejtohet nga ministri i BDI-së, Bujar Osmani, ndërsa ajo paraqitet edhe si nënkontraktuese e Korridorit 8, ku përgjegjës për realizimin e punimeve nga ana e qeverisë është zëvendëskryeministri i parë, po ashtu kuadër i BDI-së – Artan Grubi. Dyshimi ynë është se kemi të bëjmë me larje parash dhe bërje biznes me këtë kompani”, thuhet në njoftimin e partive Lëvizja Demokratike, Besa dhe Alternativa. Nga Fronti Opozitar thonë se “diskursi evropian dhe leksiku i mbushur me fraza patriotike për “ta shpëtuar shtetin dhe kombin” është i pamjaftueshëm për ta mbuluar korrupsionin e BDI-së, që është bërë identiteti i saj parësor…”. /Alsat.mk