Fshati “SOS” – Kush kujdeset për fëmijët e braktisur?

Fshati “SOS” – Kush kujdeset për fëmijët e braktisur?

Gazetare: Melihate Rustemi

“Çdo fëmijë ka të drejtë të dashuroj, pa dallim të ngjyrës, besimit dhe racës. Nëse fëmija ju kërkon me sy, shikojeni atë. Nëse fëmija ju prek me duar, përqafoni atë”.

Këto janë vetëm disa nga vargjet e shkruara nga një fëmijë i fshatit SOS që shpreh nevojën për dashuri, kujdes, shpresë dhe ndihmë në shumë aspekte. Shumë fëmijë detyrohen të përfundojnë në shtëpitë e fshatit SOS ose familjet kujdestare pasi paraprakisht janë braktisur  nga prindërit ose u kanë ndërruar jetë, shkruan Alsat.

Familjet kujdestare janë ato që mundohen të shuajnë dhimbjet e së kaluarës së këtyre fëmijëve duke u përkushtuar që jeta e tyre të vazhdojë e qetë dhe përplot dashuri. Sillvana Tushevska tashmë 14 vjet është nënë kujdestare nëpër duart e së cilës janë rritur mbi 20 fëmijë pa përkujdesje prindërore.

“Motivimi sigurisht vjen nga fakti se ka shumë dashuri dhe kujdes të madh për fëmijët dhe dashuria vjen nga fakti që jam një nënë biologjike e një fëmije dhe gjithmonë kam menduar se mund të jap më shumë. Unë do ta quaja atë përgjegjësi të ëmbla sepse gjatë kësaj periudhe jam duke u kujdesur për fëmijë të moshës më të vogël, ndaj përgjegjësitë janë shumë më të mëdha në raport me ta sepse me ta ka gjëra që duhet t’i plotësosh. Megjithatë, ne luajmë më shumë, i përkushtohemi lojës, argëtimit, dërgimit dhe marrjes nga shkolla, dërgimit në aktivitete shkollore me fëmijët më të mëdhenj”, tha Silvana Tushevska, nënë kujdestare.

Valentina Dimovska nga Qendra për përkrahje të fëmijëve tha se vazhdimisht paraqitet nevoja për familje të tilla, posaçërisht ato shqiptare. Për momentin, Dimovska tha se ka vetëm dy familje shqiptare përkujdesëse dhe një farefisnore që kujdeset për një fëmijë që është pjesë e familjes së tyre të gjerë.

“Sepse fëmijët që largohen nga familja dhe vijnë në familjen kujdestare përjetojnë një sërë humbjesh, një sërë ndryshimesh që ndikojnë në gjendjen e tyre emocionale dhe mendore, në zhvillimin e përgjithshëm psikofizik të atyre fëmijëve. Dhe kur ata fëmijë hyjnë në një familje që në thelb është e së njëjtës kulturë, ne e presim atë tranzicion dhe e dimë se do të jetë më i butë dhe se ata do të jenë në gjendje të përshtaten më mirë në një mjedis që është afër mjedisit të tyre biologjik”, u shpreh Valentina Dimovska, Qendra opër përkrahje të famijeve kujdestare.

SOS fshati i fëmijëve për momentin bashkëpunon me 79 familje kujdestare në të cilat janë të vendosur 142 fëmijë. Dimovska tha se numri më i madh i familjeve kujdestarë janë në Shkup ndërkohë që po punohet për zgjerimin e këtij misioni në të gjithë Maqedoninë e Veriut./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button