FSHF ndëshkon Tiranën, Iseni pezullohet me 24 muaj!

Gjashtë lojtarë dhe dhe tre pjesëtarë të stafit janë pezulluar nga 4 ndeshje deri në 2 vite pezullim, për shkak të dhunës që u ushtrua zyrtarëve të takimit mes Tiranës dhe Bylisit, të zhvilluar në Rrogozhinë.

Visar Bekaj, Albano Aleksi, Aldi Gjumsi, Bruno Lulaj, Besir Iseni, Florent Hasani, Arzen Vocaj, Kostandinos Jani dhe Marvi Kastrati janë ndëshkuar nga Disiplina si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në fundin e ndeshjes me Bylisin. Besir Iseni është lojtari që ka marrë masën më të lartë të ndëshkimit, duke u pezulluar për 24 muaj. Me dorë të hekurt është ndëshkuar dhe portieri Visar Bekaj, të cilit i ndalohet aktiviteti për 12 muaj (1 vit). Me nga 6 ndeshje pezullim janë dënuar: Albano Aleksi, Aldi Gjumsi dhe Bruno Lulaj, ndërkohë që për 4 ndeshje nuk do të jetë i gatshëm Florent Hasani. Me nga 8 ndeshje janë pezulluar dhe Vocaj, Kostandinos Jani dhe Marvi Kastrati, pjesëtarë të stafit mjekësor.

Pritet përfundimi i hetimeve për të mësuar se cilat do të jenë masa për klubin bardheblu, që në ndeshjen e fundit të kampionati dhe në finalen e Kupës së Shqipërisë duhet të bëjë pa gjysmën e skuadrës. Kujtojmë se në përfundim të ndeshjes që u mbyll në barazim 2-2, krahas protestave të lojtarëve, shumë tifozë dhe persona të paidentifikuar u futën në fushë, duke dhunuar gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjes. Në njoftimin e FSHF-së veçohet se Tirana do të zhvillojë ndeshje pa tifozë në harkun kohor të 90 ditëve, si masë paraprake.

LEXO EDHE:

Back to top button