Fundi i hidhur i goleadorit dhe kapitenit Rafel Duamena

Futbolli shqiptar në zi për humbjen e sulmuesit dhe kapitenit të Egnatias, Rafael Duamena. Ai ndërroi jetë pasditen e së shtunës, pas një ataku kardiak në fushën e futbollit, teksa po luante në ndeshjen Egnatia-Partizani. Duamena është një ndër të huajt më cilësorë që ka zbarkuar në futbollin shqiptar. Sulmuesi ganez, autor i 8 ndeshjeve dhe 2 golave me kombëtaren afrikane, firmosi me Egnatian në janarin e këtij viti. Më parë kishte luajtur në Austri, Zvicër, Spanjë dhe Danimarkë, përveçse në vendlindje.
28-vjeçari tregoi menjëherë aftësitë e tij si golashënues në Shqipëri, ndërkohë qe e mbylli pjesën e dytë të sezonit të kaluar me 11 gola në Superligë dhe 1 në Kupën e Shqipërisë. Egnatia siguroi një kualifikim historik në Ligwn e Konferencws, ndërkohë që për herë të parë shijoi edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Duamena bëri mirë edhe në Europë me rrogozhinasit, në dy duelet ndaj armenëve të Ararat, gjatë të cilave shënoi 3 gola. Afrikani e nisi në mënyrë të shkëlqyer edhe sezonin aktual, teksa kryesonte renditjen e golashënuesve me 9 realizime, duke dhënë një kontribut të madh në kryesimin e ekipit rrogozhinas bashkë me Partizanin.
Dhe sot, në përballjen mes dy skuadrave më në formë në Shqipëri, kapiteni i Egnatias u rrëzua në minutën e 25’. Për të mos u ngritur më, duke shkaktuar një dhimbje që do duhet kohë të kalojë te familjarët e tij, klubi dhe tifozët e Egnatias, por edhe gjithë sportdashësit shqiptarë./Supersport/