“Fundjava pa TVSH”, dyqane të mbyllura

Në ditën e dytë të “Fundjavës pa TVSH” shumica e dyqaneve janë të mbyllura. Qytetarët thonë se jo vetëm që numri i produkteve me të cilët mund ta kthejnë TVSH-në është minimal, por edhe nuk ka nga ku t’i sigurojnë. Shumica e qytetarëve janë të zhgënjyer dhe mendojnë se është dashur të ketë të paktën thirrje nga autoritetet për tregtarët në këtë fundjavë të zgjatur për dyqanet që të punojnë, qoftë edhe me orare të shkurtuar. Por, ka edhe qytetarë që janë mjaft të kënaqur nga kjo masë.
“Bleva diçka, kryesisht produkte ushqimore. Mund të ketë efekt të vogël për buxhetin e brendshëm, por fatkeqësisht çdo qindarkë është e mirëseardhur për familjet tona sepse megjithatë deri diku jemi më të varfër.”
“Blejmë, e përdorim, gjithçka është ashtu siç duhet të jetë dhe është shumë mirë”.
“Unë ende nuk e kam shfrytëzuar masën, por e di, jam i informuar. Nuk kisha nevojë të blejë diçka më shumë, që të më kthehet TVSH-ja e kështu me radhë. Është mirë të kontrollohet ekonomia gri me llogari fiskale, kështu që është si shpërblim për ne.”
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike njoftojnë se qarkullimi i produkteve vendore është rritur trefish një ditë më parë.
DAP:
“Qytetarët që e kanë shfrytëzuar këtë masë një ditë më parë, do të kenë kthim të TVSH-së së plotë për produktet e blera vendore, si dhe për pajisjet e blera kompjuterike, brenda 15 ditëve nga fatura e lëshuar apo deri në fund të këtij muaji.”
Kthim të TVSH-së nga kjo fundjavë do të ketë për qytetarët që e kanë aplikacionin “TVSH-ja Ime”. Për produktet vendase kthimi është 18 për qind kurse 5 për qind për produktet IT. Qytetarët u ankuan se një pjesë e mirë e pajisjeve kompjuterike për këtë fundjavë është më e shtrenjtë në krahasim me javën e kaluar.
Ile Petreski