Gafa e Britanisë, rrezikon jetët e 250 përkthyesve të fshehur afganë!

250 përkthyes dhe bashkëpunëtorë të tjerë afganë të organizatave ndërkombëtare që kërkonin zhvendosjen në Britani, rrezikojnë jetën pasi të dhënat e tyre u kopjuan gabimisht në një email nga Ministria e Mbrojtjes. Adresat e tyre të postës elektronike mund të shiheshin nga të gjithë marrësit, duke ekspozuar emrat e njerëzve e madje edhe disa foto profili të lidhur me to. Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace urdhëroi nisjen e menjëhershme të një hetimi për zbardhjen e këtij incidenti, që vë në rrezik shumë persona.

Ministria kërkoi ndjesë për gabimin, i cili mund t`u kushtojë shtrenjtë mjaft përkthyesve afganë që kanë mbetur pas, e që po përpiqen t`i fshihen hakmarrjes së talebanëve.

“ E vërteta është se ne kemi lënë atje shumë përkthyes dhe e gjithë kjo mund të ketë ndikim të thellë tek ajo pjesë e tyre e mbetur në Afganistan”, u shpreh ligjvënësi konservator Johnny Mercer për BBC. Mercer kishte folur me vëllain e një afgani të trajnuar nga britanikët për të shërbyer në forcat speciale vendase, i cili është ekzekutuar nga talebanët pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të aleatëve. Familjarët e tij tani janë fshehur, nga frika se mund t`i presë i njëjti fat.

LEXO EDHE:

Back to top button