Galtieri dështon sërish, Lioni triumfon përballë PSZH-së

PSZH ka zhgënjyer sërish teksa është mundur me rezultatin minimal, 0 me 1, nga rivalët e Olimpik Lionit, në arenën “Parc des Princes”, në përballjen e vlefshme për javën e 29-të të Kampionatit francez të futbollit, Ligue 1.
Miqtë patën mundësi për të zhbllokuar sfidën që në fraksionin e parë të lojës, ku pas një ndërhyrje të gabuar në zonë nga portieri Donnarumma, arbitri Leteksier akordon një 11-metërsh, por nga pika e bardhë e penalltisë “bomberi” i Lionit, Aleksandre Lakazete dështon duke mos arritur të zhbllokojë dot shifrat.
Goli i vetëm i sfidës do të vinte në pjesën e dytë, ku pas një aksioni shembullor të miqve, Sael Kumbedi çon një top në zonën e rreptësisë të “parizienëve”. Topi mbërrin në këmbët e 20-vjeçarit, Bradli Barcola, i cili me portën pothuajse të boshatisur nuk gabon dhe i jep të tijve fillimisht avantazhin në minutën e 56’-të e më pas fitoren pas fërshëllimës së fundit të arbitrit.
Me këtë fitore Lioni ngjitet në vendin e 9-të në renditjen e Ligue 1, me 44 pikë, ndërsa PSZH vazhdon të qëndrojë në vendin e parë me 66 pikë, por vetëm 6 më shumë se Lens dhe Marseja, që renditen në pozicionin e 2-të dhe të 3-të.