Gazetarë e politikanë kujtojnë Kadriun
Gazetarë e politikanë kujtojnë Kadriun

Gazetare: Fatlume Dervishi
Shoqatat e gazetarëve, politikanë dhe figura të tjera shprehën ngushëllime për ndarjen nga jeta të zv.kryeredaktorit të Alsat, gazetarit Isuf Kadriu. Kadriu u kujtua nga kolegët në Shkup e Prishtinë.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh ngushëllime të thella për humbjen e gazetarit Isuf Kadriu dhe ngushëllime familjes dhe miqve. Isuf Kadriu me vite në mënyrë aktive ka kontribuuar në punën e SHGM-së dhe anëtar aktiv dhe gjithashtu ishte anëtar i Bordit të parë drejtues të Këshillit për Etikë në Media me propozim të SHGM-së”, thonë nga Shoqata e Gazetarëave të Maqedonisë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit të njohur shumëvjeçar, Isuf Kadriu. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të gazetarit Kadriu”, u shprehën nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Liderë partish po ashtu shprehën ngushëllimet e tyre.
“Isuf Kadriu ishte një figurë e respektuar, një gazetar tejet i drejtë dhe i guximshëm, e i njohur për integritetin dhe profesionalizmin e tij. Përkushtimi i tij ndaj lajmit të vërtetë dhe informimit objektiv e bënte atë një model për të gjithë ne. Humbja e Kadriut është një goditje e madhe për mediat dhe shoqërinë tonë. Ai ishte një zë i fuqishëm për demokracinë dhe transparencën, duke mbajtur gjithmonë standarde të larta profesionale”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministër.
“Iku në moshë shumë të re dhe ndaj dhimbjen me familjarët, kolegët dhe miqtë e tjerë. Një gazetar i përkushtuar, me një përvojë të gjatë dhe përkushtim në profesionalizëm, që me punën e tij dha kontribut në momentet më delikate dhe të rëndësishme për shqiptarët, duke filluar karrierën gjatë luftës së Kosovës dhe duke vazhduar me vitin 2001 dhe ngjarjet më pas”, theksoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
“Një humbje që më trishtoi mua dhe një shtet të tërë sepse u nda nga jeta një njeri me vlera të shumta dhe një profesionist. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij!”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Në rrjetet sociale, dhimbjen e ndanë edhe gazetarë të tjerë nga vendi dhe jashtë si dhe figura të tjera publike./Alsat.mk