Gir: Korrupsioni do të luftohet në çdo fazë të procesit të negociatave

Gir: Korrupsioni do të luftohet në çdo fazë të procesit të negociatave

Gazetar: Ardit Ramadani

Në Maqedoninë e Veriut nuk bëhet fjalë për identifikim të individëve, por për ndryshimin e tërësishëm të sistemit në mënyrë që institucionet të luftojnë korrupsionin, tha ambasadori i BE-së në vend, David Geer duke komentuar listën e zezë amerikane për funksionarët dhe ish-funksionarët e përfshirë në afera korruptive.

“Çështja e korrupsionit është shumë e rëndësishme që shkon në thelb të procesit të anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që ne e kemi përfshirë në bazat. Shqyrtojmë luftën kundër korrupsionit dhe përpiqemi ta luftojmë atë në çdo fazë të gjithë procesit. Këtu nuk bëhet fjalë për identifikimin e individëve por për ndryshimin e sistemit në mënyrë që institucionet të luftojnë, të merren me korrupsionin dhe t’i bëjnë të gjithë të kuptojnë se nuk ka tolerancë për korrupsionin. Është një proces afatgjatë në të cilin ne jemi të përfshirë dhe kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur atje”, deklaroi David Geer, ambasador i BE-së në RMV.

Geer nuk është i vetmi nga bashkësia ndërkombëtare që flet me tone kritike për nivelin e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Një ditë më parë ambasadorja amerikane, Angela Aggeler deklaroi se çdo ditë ndodhë korrupsion ndërkaq më herët, ajo kishte deklaruar se populli këtu vazhdimisht përballet me ndonjë lloj të korrupsionit, edhe atë kur shkon në mjek, kur e regjistron fëmijën në shkollë dhe ngjashëm. Mesazhe të ngjashme kanë dhënë edhe ambasadoret e Suedisë dhe Gjermanisë ndërsa përkundër kësaj, vendi deri tani nuk ka ndërmarrë ndonjë masë konkrete që do të zbuste nivelin e korrupsionit por përkundrazi, nga institucioni vetëm i pavarur për parandalimin e korrupsionit, vazhdimisht janë ankuar se denoncimet e tyre hasin në veshin e shurdhër të qeverisë ndërkaq gjyqësori çdo ditë e më shumë “furnizohet” me fëmijë dhe familjarë tjerë të funksionarëve partiak.

Rikujtojmë që për 1 dekadë, vetëm BE-ja ka investuar më shumë se 140 milion euro ndërsa ShBA-të mbi 60 milion dollarë për luftën kundër korrupsionit ndërsa vendi vazhdon të qëndrojë në fund të listave të organizatave ndërkombëtare. Sipas indeksit për perceptimin e korrupsionit, RMV-ja u gjet në vendin e 85-të. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button