Gir: Qeveria të mos e keqpërdorë flamurin e BE-së në Kuvend

Gazetar: Adrian Kerimi
Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer thotë se pushteti dhe opozita duhet heqin dorë nga përcaktimet politike kur bëhet fjalë për interesa shtetërore dhe agjendën Evropiane të vendit, shkruan Alsat.
Geer në intervistën për 360 shkallë në Alsat shton se Qeveria duhet të heq dorë nga vendosja e flamurit të BE-së në çfarëdo lloj ligji vetëm për të shkurtuar debatin, ndërsa opozita duhet të heqë dorë nga bllokadat e ligjvënësit.
“Ajo që shohim është një proces i thelluar i polarizimit dhe ajo që na duhet me doemos në këtë moment që të gjitha partitë politike të ulen dhe të thonë: po, ne nuk pajtohemi në shumë gjëra, por ne pajtohemi në interesat kombëtare, pajtohemi mbi agjendën Evropiane, pra kjo duhet dëgjohet nga gjitha partitë. A nuk ishin të gjithë aktorët politikë të cilët konfirmuan këtë bindje. Duhet të bashkëpunojnë dhe të sigurojnë avancimin e agjendës Evropiane edhe pse nuk pajtohemi në shumë gjëra. Kjo do të thoshte edhe më pak të përdoret flamuri i BE-së në ligje për të shkurtuar ligje, por edhe të mos bllokohet Kuvendi vetëm se mund të bllokohet”, deklaroi David Geer, Ambasador i BE-së në Maqedoni të Veriut.
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se Geer ka vërtetuar akuzat e tyre se Qeveria keqpërdor flamurin e BE-së në ligje, përfshi edhe propozimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar.
“Geer e konfirmoi atë që neve prej kohësh e deklarojmë. Jo vetëm flamuri i BE-së që keqpërdoret, por edhe procedura e shkurtuar është konsumuar keq. Ky fakt ka rënë është në sytë e diplomatëve. Reagimet e opozitës janë rezultate i Qeverisë dhe tendencave të saj për t’iu shmangur transparencës”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM-ja nuk kishin koment për qëndrimet e ambasadorit Geer, ndërsa nuk u prononcuan as partitë shqiptare. Ndërkohë partia E Majta kërkon ndryshimin e Kodit Penal dhe përfshirjen e një dispozite në kuadër të neneve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ku do të bënte pjesë edhe keqpërdorimi i flamurit të BE-së në procedura parlamentare. Vendosja e flamurit të BE-së në propozim-ligje nënkupton se drafti është i bazuar dhe kryqëzohet me legjislacionin Evropian. Të drejtën për vendosjen e flamurit të BE-së e gëzon vetëm Qeveria. /Alsat.mk