Gjakderdhja nga hunda mund të jetë shenjë e një gjendjeje të rëndë mjekësore

Fondacioni Britanik i Zemrës po i paralajmëron njerëzit që kanë gjakderdhje nga hunda se kjo mund të jetë shenjë e një gjendjeje serioze, madje fatale.

Kjo është për të nxjerrë në pah rrezikun e tensionit të lartë të gjakut (hipertensioni), i cili është shumë i zakonshëm dhe mund t’ju vërë në rrezik për komplikacione që kërcënojnë jetën, siç janë ataku në zemër dhe goditja në tru.

Presioni i gjakut i referohet presionit të gjakut në arterie. Arteriet transportojnë gjak nga zemra në tru dhe në pjesën tjetër të trupit. Edhe pse na duhet një sasi e caktuar presioni për të ruajtur rrjedhën e gjakut, presioni i tepërt është problem.

“Tensioni juaj i gjakut rritet dhe bie natyrshëm gjatë ditës dhe natës. Është normale që të rritet ndërsa lëvizni. Kur tensioni juaj i përgjithshëm i gjakut është vazhdimisht i lartë, edhe kur jeni duke pushuar, duhet të bëni diçka”, thotë BHF.

Simptomat dhe rreziqet e presionit të lartë të gjakut

Hipertensioni nuk ka “simptoma të dukshme” dhe njerëzit zakonisht nuk e dinë që kanë tension të lartë të gjakut, prandaj është kaq e rëndësishme të kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut. Në raste të rralla, kur shfaqen simptoma, ato mund të përfshijnë shikim të turbullt, dhimbje koke dhe gjakderdhje nga hunda.

BHF paralajmëron se kjo është një gjendje serioze. Arteriet tuaja janë natyrshëm fleksibile, gjë që u lejon atyre të përshtaten ndërsa tensioni i gjakut rritet dhe bie. Megjithatë, kur keni presion të lartë të gjakut, ato mund ta humbasin atë fleksibilitet, të ngurtësohen ose të ngushtohen.

“Ky ngushtim lehtëson grumbullimin e depozitave yndyrore (ateromave). Ky ngushtim dhe dëmtim i arterieve që veshin zemrën ose trurin mund të shkaktojë një atak në zemër ose goditje në tru që kërcënon jetën”, vunë në dukje ata.

Ndryshimet në dietë dhe rritja e niveleve të aktivitetit do të ndihmojnë në përmirësimin e presionit të gjakut. Megjithatë, nëse nuk trajtohet, tensioni i lartë i gjakut mund të çojë edhe në ndërlikime të tilla si: dështimi i veshkave, dështimi i zemrës, problemet me shikimin dhe demenca vaskulare.

Personat mbi 65 vjeç, dikush që ka një anëtar të familjes me tension të lartë të gjakut, duhanpirësit, njerëzit që konsumojnë shumë alkool, njerëzit që konsumojnë shumë kripë dhe shumë pak fruta dhe perime, njerëzit që nuk janë mjaftueshëm aktivë fizikisht dhe ata që janë mbipeshë, veçanërisht në pjesën e mesme të trupit, janë gjithashtu në rrezik më të lartë.

Tek disa njerëz, shkaku i presionit të lartë të gjakut gjendet. Kjo njihet si “hipertension sekondar”. Shembuj të hipertensionit sekondar përfshijnë: sëmundjen e veshkave, diabetin, një gjendje të quajtur apnea obstruktive e gjumit, e cila mund të çojë në çrregullime të gjumit, disa ilaçe të tilla si kontraceptivët oralë, disa ilaçe pa recetë dhe ilaçe bimore.

LEXO EDHE:

Back to top button