Gjatë periudhës pranverë-verë rritet rreziku për infeksione nga rriqrat
Gjatë periudhës pranverë-verë rritet rreziku për infeksione nga rriqrat

Gazetare: Linda Ebibi
Gjatë periudhës pranverë-verë rritet rreziku për infeksione nga rriqrat. Edhe pse akoma asnjë rast nuk është regjistruar, epidemiologët shprehin shqetësimin se faza në të cilën ndodhemi është kritike. Epidemiologët thonë se për virusin që shkaktojnë rriqrat nuk ka vaksina. Enkela Pollozhani thotë se secili qytetarë që preket nga rriqrat, duhet të paraqitet urgjentisht në mjek.
“Nga simptomat e përgjithshme që mund të paraqiten në formë të kok dhembjes, dhimbjes në shpinë, dhimbje të nyjave, vjelljes, dhimbjes të barkut, mund të paraqiten edhe simptoma më specifike në formë të skuqjes të syve, skuqjes të fytyrës, verdhëz dhe deri në gjakderdhje që do njihet në formë të mavijosje në lëkurë ose gjakderdhjeve të mëdha nga hunda”, tha Enkela Pollozhani, epidemiologe.
Nga infeksionet e rriqrave nuk është i përjashtuar asnjë, ndërsa më së shumti preken ata që shëtisin nëpër natyrë.
“Janë të gjithë në rrezik, pra siç e thash përveç asaj që nuk ka algoritëm se kush do ta merr virusin përmes pickimit të rriqrës, nuk ka edhe ndonjë formulë se kush do e kalon më vështir sëmundjen, d.m.th mund të paraqitet në formë shumë të lehtë, mund të paraqitet në formë shumë të rënd, kjo varet tërësisht nga personi”, shtoi ajo.
Pollozhani thotë se mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga rriqrat, është evitimi i vendeve ku ka më shumë prezencë të rriqrave, sidomos gjelbërimet me lagështi. Gjithashtu rekomandohet që gjatë shëtitjeve veshmbathjet të jenë të gjata në mënyrë që të mbulohet i gjithë trupi, dhe të jenë me ngjyrë të hapur që më lehtë të dallohet rriqra./Alsat.mk