Gjatë votimit me badenter, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa planifikojnë të pengojnë shtyrjen e regjistrimit

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk do të lejojnë shtyrjen e regjistrimit dhe planifikojmë ta pamundësojnë atë duke mos e votuar gjatë votimit me badenter. Për dy liderët e të dy partive, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, takimi i Zaevit dhe Mickoskit është i barasvlershëm me “zero”. Kritikojnë ashpër partinë shqiptare në pushtet që e kanë lejuar këtë.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të shfrytëzojë këtë mekanizëm të badenterit në mënyrë që regjistrimi të mos shtyhet dhe të mbahet në afatet e caktuara. Ka ardhur koha që të bien maskat. Nuk mundet që shqiptarët të telefonohen dhe të pyeten për qëndrimet e tyre. Nuk e di, për këtë le të deklarohet Ahmeti sepse goxha po luajnë me të, fatkeqësisht, me këtë, edhe me të gjithë ata shqiptarë që i kanë dhënë votën- deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës.

 Ne jemi këtu që të mos e lejojmë një gjë të tillë. Ne do të bëjmë çmos dhe do të përdorim të gjithë mekanizmat tonë demokratik dhe fuqinë tonë politike që regjistrimin të mos e ndalim dhe ky proces të vazhdojë. Është e papranueshme që në një format të atillë duke përjashtuar të gjithë institucionet në vend, të gjitha komunitetet, të gjitha partitë e tjera politike, të mundohen të marrin vendime të atilla- pohoi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Diaspora e cila në masë të konsiderueshme tashmë është regjistruar, sipas Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nuk është kavje për eksperimentet e Zaevit. Ata ftojnë diasporën të mos demotivohet dhe të vazhdojë të regjistrohet.

BDI-ja mbështet marrëveshjen mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit për prolongim të regjistrimit, gjë që sipas tyre e ndihmon procesin.

 BDI

“Shtyrja e regjistrimit rezident nga muaji prill në muajin shtator të këtij viti paraqet vendim të duhur dhe të drejtë. Opozita shqiptare (ASH-AAA) po manipulon me ndjenjat e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mërgimtarëve në tentativë të përfitimeve të vogla të politikës ditore”

Në Kuvend tashmë është dorëzuar propozimi për shtyrjen e regjistrimit. Sipas marrëveshjes mes Zaevit dhe Mickoskit, regjistrimi në terren duhet të shtyhet për në shtator kurse regjistrimi elektronik i diasporës duhet të mbetet i hapur deri atëherë. Ndërkohë, thanë ata, të bëhet imunizimi i regjistruesve, veçanërisht i popullsisë.

Enti Shtetëror i Statistikës nga ana tjetër, nuk komenton nismën për shtyrjen e regjistrimit. Nga ky institucion thonë se sqarimin e procedurave dhe mënyrën se si do të vijojë ai, do ta bëjnë pasi ndryshimet e paralajmëruara të miratohen dhe të hynë në fuqi.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button