Gjendet tri ditë pas zhdukjes në pyje vogëlushi trevjeçar nga Uellsi

Një djalë trevjeçar i cili u zhduk javën e kaluar në pyjet e shtetit australian të Uellsit të Ri Jugor (New South Wales), u gjet pas kërkimeve. Ekipet e shpëtimit e gjetën vogëlushin Anthony “AJ” Elfalak në bregun e lumit rreth 500 metra nga shtëpia e familjes në pronën e gjerë në Putty, në veri të shtetit.

Djali, i cili kishte autizëm dhe vështirësi në të folur, u pa për herë të fundit në shtëpi të premten, ndërsa luante me vëllezërit e tij. Familja e tij kishte frikë se djali ishte rrëmbyer.

Autoritetet thanë se AJ pësoi disa gërvishtje në këmbë dhe se ai u gjet me rroba të lagura, por se ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Babai i tij, Anthony Elfalak, gjetjen e të birit e quajti një “mrekulli”.

“Ai u kafshua nga milingonat dhe u rrëzua, por është gjallë. Ai është gjallë”, tha Elfalak, duke shtuar se nuk e dinte pse djali ishte larguar.

Më shumë se 100 oficerë policie dhe vullnetarë kërkuan djalin gjatë fundjavës, kurse një automjet i bardhë u ndalua të dielën nën dyshimet e rrëmbimit.

LEXO EDHE:

Back to top button