Gjendja me virusin korona në Indi është alarmante

Situatë dramatike me Kovid-19 në Indi. Çdo ditë shteti indian regjistron rekord rastesh të reja. Njerëzit vdesin rrugëve, ndërkaq mungesa e pajisjeve për trajtim është e theksuar. Autoritetet në Indi për 24 orët e fundit kanë regjistruar rekordin e ri botëror me thuajse 324,000 raste pozitive. Njëra nga arsyet thuhet të jetë mutacioni indian i virusit. Në Spitalin në Nju Delhi janë vendosur shtretër jashtë, meqë hapësirat e brendshme janë të stërmbushura me pacientë. Mjekët janë në presion për të siguruar oksigjen dhe shtretër të lirë.
Situata është kritike. Kjo pandemi është më e keqja që kemi parë ndonjëherë deri më tani. Dhe këto dy javë do të jenë ferr për ne – deklaroi Dr Shaarang Sachdev, shefi i urgjencës në Spitalin Super Specialistik të Aakash Healthcare
Unë po blej oksigjen sikur të blej ar. Situata ka ardhur në atë nivel. Çmimi është shumëfishuar, ndërkaq edhe tregtia e zezë vërehet. Njerëzit po i blejnë medikamentet e nevojshme shumë më shtrenjtë se vlera reale – tha Dr Aashish Chaudry, drejtor menaxher në Spitalin Super Specialistik të Aakash Healthcare.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adanom Gebrejesus ka deklaruar se situata në Indi është më shumë se dëshpëruese dhe se po sigurojnë furnizimin me oksigjen të spitaleve dhe pajisje laboratorike. Asnjë vend tjetër në botë deri tani nuk ka regjistruar numër kaq të lartë të të infektuarve brenda 24 orëve. Rekordi botëror më herët ishte shënuar në SHBA me mbi 290,000 raste për 24 orë. Shumica e Spitaleve thonë se terapi oksigjeni mund të sigurojnë vetëm edhe për pak orë. Deri më tash në Indi gjithsej janë regjistruar mbi 15 milion raste pozitive të Kovid ndërkaq numri i viktimave që nga fillimi i pandemisë është mbi 145 mijë.
Vjollca Aliti