Gjendja nëpër pikat e karburantit sot është normale, KRRE: Qytetarët ranë pre e spekulimeve

Gazetar: Ile Petreski
Mungesa e informacionit zyrtar të qeverisë për sasinë e saktë të karburanteve në Maqedoni është një nga arsyet e kaosit të vërtetë që ndodhi mbrëmë në pikat e karburantit në të gjithë vendin, shkruan Alsat.
Përveç kolonave të gjata të automjeteve që shiheshin përballë pompave, disa nga qytetarët po përpiqeshin të bëjnë edhe rezervuare me fuçi. Qytetarët kanë rënë pre e spekulimeve, thotë kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski. Benzinë dhe naftë ka mjaftueshëm, por nuk mundi të na tregojë se sa do të rritet çmimi të hënën.
“Në asnjë moment nuk bëhet fjalë për furnizim të pandërprerë të derivateve të naftës në të gjithë vendin, sepse ne si vend 95% të nevojave i sigurojmë nga Greqia”, tha Marko Bislimovski – kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.
Gjatë mbrëmjes u shfaqën informacione se disa nga pikat e karburantit e kanë kufizuar sasinë e karburantit, gjegjësisht se nuk kanë dhënë më shumë se 1000 denarë për veturë. Rregullatori thotë se nuk ka kompetenca në funksionimin e pikave të karburantit, por shton se janë raportuar menjëherë në inspektoratin e tregut, pasi nuk lejohet kufizimi i sasive. Inspektorët thanë për Alsat se nuk kanë konstatuar shkelje të rregullave në terren.
“Gjatë natës së mbrëmshme kemi kryer disa kontrolle në pikat e karburantit, nuk kemi përcaktuar kufizime në shitje. Kur nuk përcaktohet në vend ngjarje, nuk mund të sanksionohet apo të shkruhet gjobë”, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Fakti që çmimi i karburanteve me pakicë pritet të vazhdojë të rritet, tregojnë të dhënat që thonë se ditët e fundit ka një rritje drastike të çmimit të naftës në bursat botërore. Ndryshe, në Maqedoni çmimi i derivateve po rritet vazhdimisht pas 10 javëve të fundit. Për momentin, rregullatori thotë se nuk ka nevojë të vërë në punë rezervat shtetërore të naftës. Përfaqësuesit qeveritar nuk dolën sot para publikut për të dhënë argumente se situata është nën kontroll. Qytetarët janë informuar vetëm përmes njoftimeve se nuk duhet të ketë panik. Qeveria ende nuk heq dorë nga një pjesë e të ardhurave nga shitja e derivateve për të kontribuar në rënien e çmimeve. /Alsat.mk