Gjermani, autoritetet lokale në zonat e përmbytura hetohen për ”vrasje nga pakujdesia”
Drejtësia gjermane hapi sot hetimet për “vrasje nga pakujdesia” kundër kreut të distriktit të Ahrweiler, i prekur nga përmbytjet, që vranë dhjetëra njerëz në mes të korrikut.
Pas një shqyrtimi fillestar të çështjes, zyra e prokurorit publik të Koblenz tha në një deklaratë se “kishte konfirmuar dyshimet fillestare për vrasje nga pakujdesia dhe lëndime trupore nga pakujdesia (…) dhe se kishte hapur një hetim”.
Drejtësia akuzon kreun e qarkut, Jürgen Pföhler, anëtarin e Partisë Konservatore të kancelares Angela Merkel si dhe një person tjetër të paidentifikuar nga ekipi përgjegjës për krizat lokale, se nuk ka marrë masat e nevojshme gjatë reshjeve të mëdha dhe dramatike për të paralajmëruar popullsinë.
Ndërsa ishin lëshuar disa paralajmërime të motit, autoritetet lokale duhet të ishin kujdesur për “evakuimin e banorëve të luginës Ahr të cilët nuk ishin prekur ende nga vala e përmbytjes”.
“Ky operacion nuk është kryer qartë, nuk është kryer me qartësinë e kërkuar ose është kryer vetëm me vonesë, në një mënyrë që mund të akuzohet për neglizhencë”, nënvizon prokuroria.
Prokuroria këmbëngul se ky është për momentin vetëm një dyshim i parë, i cili “bazohet natyrshëm për shkak të pasigurive dhe boshllëqeve të krijuara”.
“Hetimet që do të kryhen ka të ngjarë të zgjasin pak, kështu që nuk mund të priten rezultate të shpejta”, shtoi ajo.
Një polemikë pasoi fatkeqësinë e 14-15 korrikut, në lidhje me parashikimin e ngjarjeve meteorologjike nga autoritetet, funksionimin e sistemit të paralajmërimit dhe masat e evakuimit.
Përmbytjet në Gjermani shkaktuan vdekjen e të paktën 189 personave, përfshirë 141 në rajonin e Rheineland-Pfalzit.
Përmbytjet kanë prekur edhe Belgjikën ku kanë vdekur 38 persona.
Edhe në këtë shtet, një gjykatës hetues po heton përgjegjësinë e mundshme penale, në lidhje me mungesën e masave paraprake dhe paralajmërimit.
Sidoqoftë, Gjermania kërkon të nxjerrë mësime nga tragjedia dhe po studion disa rrugë për të përmirësuar sistemin e saj të paralajmërimit të fatkeqësive, përfshirë zbatimin e njoftimeve përmes telefonit celular.








