Gjermani, sot hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese

Seriozitetin e gjendjes së pandemisë në Gjermani e bën të qartë një shifër: Zyrat e Shëndetësisë i kanë njoftuar Institutit Robert Koch 952 të vdekur në ditë. Shifra më e lartë deri më tani ka qenë në 598 vetë. Që nga fillimi i pandemisë në Gjermani kanë humbur jetën 23.427 vetë me ose nga Corona. Edhe numri i infektimeve të reja është shqetësues, vlera ditore arrin 27.728 vetë. Këto janë 7000 raste më shumë se të mërkurën e kaluar, shkruan DW.

- Advertisment -

Lockdown i dytë

Për të kufizuar përhapjen e pakontrolluar të virusit, nga e mërkura në Gjermani hyjnë në fuqi kufizime të forta të jetës publike që u vendosën në fundjavë në takimin e kancelares Merkel me kryeministrat e landeve federale. Nga 16 dhjetori deri në 10 janar do të mbyllen të gjitha dyqanet, përjashtime ka për ato dyqane që janë të nevojshme për nevojat e përditshme. Shkollat mbyllen, dhe nuk ka detyrim për prezencë në shkollë. Kopshtet janë mbyllur dhe ofrohet kujdestari vetëm në raste nevoje. Edhe parukeri e shërbime të tjera mbyllen. Rregulla të forta vlejnë edhe për takimet private. Maksimumi lejohen të takohen 5 persona nga dy familje. Fëmijët deri në 14 vjeç nuk llogariten. Vetëm nga 24-26 dhjetor ka një rregullore të posaçme, ku lejohet që në rrethin familjar takime me katër vetë që vijnë nga familje të tjera. Megjithatë rregullat konkrete varen nga landet federale, që lëshojnë vetë rregulloret e posaçme të Coronës.

Të mos kemi iluzione

Më 5 janar landet dhe federata do të takohen sërish për të parë ecurinë e gjendjes. Së fundmi kancelarja Merkel kishte theksuar, se janari dhe shkurti do të jenë muaj shumë të vështirë pandemie. “Këtu nuk duhet të kemi iluzione”, ka thënë Merkel. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn theksoi, se të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë pas vaksimit me Corona të japin shpejt përmes një aplikacioni efektet anësore që kanë ndjerë. “Ne do ta bëjmë këtë shumë, shumë transparente”, tha Spahn. Kjo vlen si për vaksinat, edhe për kohën pas tyre. “Besimi është gjëja më e rëndësishme tek vaksinimi.”

Autoriteti Europian i Mjekësisë, EMA bëri të ditur të martën, se parashikon të publikojë vlerësimin për vaksinën e firmës Biontech-Pfizer që të martën, pra tetë ditë para planifikimit. Formalisht këtë duhet ta miratojë edhe Komisioni Europian, por ky është një proces i shkurtër që mund të kryhet brenda një dite. Më pas mund të fillojë vaksinimi.

LEXO EDHE:

Back to top button