Gjermani, ulet ndjeshëm numri i aplikimeve për azil

Gjermani, ulet ndjeshëm numri i aplikimeve për azil

Numri i aplikimeve për azil në Gjermani ka rënë ndjeshëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara sot nga Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).

Nga janari deri në qershor, 61 336 persona aplikuan për azil në Gjermani, një rënie për herë të parë, prej pothuajse 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Midis janarit dhe qershorit 2025, u dorëzuan gjithsej 72 818 aplikime zyrtare për azil, nga të cilat 61 336 ishin aplikime fillestare dhe 11 482 ishin aplikime të përsëritura”, tha një zëdhënës.

“Kjo shifër është 44,9% më pak sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga janari deri në qershor 2024, kur u paraqitën 132 201 aplikime për azil”, shtoi ai.

Përveç kontrolleve të reja kufitare të vendosura gradualisht në të gjitha pikat tokësore të kalimit në Gjermani, besohet se edhe masat e ndërmarra nga shtetet e Ballkanit kanë ndikuar për të ulur migracionin.

Një tjetër arsye është edhe situata e ndryshuar në Siri, ku lideri që sundoi prej shume kohësh vendin islamik, Bashar al-Assad u rrëzua nga pushteti në muajin dhjetor.

Për vite me radhë, Siria ka qenë vendi që ka pasur numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani.

Gjermania filloi kontrollet në kufijtë e saj në vitin 2023 për të parandaluar hyrjen e migrantëve që nuk kanë dokumentet e nevojshme.

Pasi qeveria e re mori detyrën në maj, kontrollet u zgjeruan dhe rregullat u shtrënguan, kështu që tani zyrtarët mund të kthejnë edhe ata që planifikojnë të kërkojnë azil.

LEXO EDHE:

Back to top button