Gjermania ashpërson qëndrimin ndaj emigrantëve, kërkon deportimin e tyre në Itali dhe Greqi
Gjermania po e shtrëngon qëndrimin e saj ndaj kthimit të emigrantëve dhe po kërkon që transferimet në Itali dhe Greqi të rifillojnë, pas hyrjes në fuqi të Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin, raportoi agjencia ANSA .
Berlini pret të rifillojë transferimet e migrantëve në Itali dhe Greqi nga 12 qershori, shtoi zëdhënësi.
Sipas rregullave të Dublinit, kërkesat për azil të migrantëve nga vendet jashtë BE-së duhet të shqyrtohen në shtetin e parë anëtar ku ata hyjnë.
Rasti i parë specifik i kthimit në Itali është njoftuar tashmë për 19 gusht. Bëhet fjalë për një grua 22-vjeçare somaleze, Abdirisak Warsame, e cila mbërriti në Gjermani në mars, pasi kishte kaluar më parë nëpër Itali.
Warsame aktualisht po qëndron në një qendër pritjeje në Niederwerrn, në shtetin gjerman të Bavarisë. Ministria e Brendshme gjermane e informoi atë se do të transferohej në Itali më 19 gusht dhe një letër drejtuar saj thoshte se policia do të vinte për të.
Gruaja e re, e cila iku nga i ati dhe nga një martesë e rregulluar, kërkoi azil në Gjermani, ku jetojnë tashmë nëna, vëllai dhe të afërm të tjerë të saj.
Megjithatë, autoritetet gjermane përcaktuan se ajo binte nën juridiksionin e Italisë, sepse hyri për herë të parë në BE atje.
Kërkesa që autoritetet italiane të merrnin në dorëzim Warsame u dërgua në qershor. Pasi nuk u mor asnjë përgjigje nga autoritetet italiane brenda dy javësh, kërkesa u konsiderua automatikisht e pranuar.
Ministria e Brendshme italiane, megjithatë, deklaroi se “nuk ka emigrantë sipas Rregullores së Dublinit që duhet t’i kthejmë nga Gjermania”.
Sipas autoriteteve italiane, të gjithë të ashtuquajturit “migrantë të Dublinit” që mbërritën në Itali dhe vazhduan rrugën drejt një shteti tjetër anëtar të BE-së para 12 qershorit konsiderohen të mbuluar nga marrëveshjet që Italia ka arritur me vende të caktuara.








