Gjermania e gatshme të paguajë për sistemet amerikane Patriot për Ukrainën
Gjermania e gatshme të paguajë për sistemet amerikane Patriot për Ukrainën

Gjermania synon të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’ia dërguar Ukrainës, tha të enjten kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Ukraina po kërkon me ngulm dhe nguti mbrojtje më të fortë ajrore përballë sulmeve të shpeshtuara dhe rritura nga Rusia me raketa dhe dronë.
“Bisedova për këtë me presidentin [Donald] Trump të enjten e kaluar dhe gjithashtu i kërkova atij ta furnizojë [Ukrainën] këto sisteme”, tha Merz gjatë një konference në Romë për rindërtimin e Ukrainës.
Ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve po bisedojnë për një marrëveshje të mundshme, por ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar, tha Merz.
Merz theksoi se SHBA-ja ka nevojë për disa nga sistemet Patriot për mbrojtjen e vet ajrore, pa treguar se sa sisteme Patriot saktësisht synon t’i blejë Berlini.