Gjermania: Kosova e Serbia të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejmë

Gjermania: Kosova e Serbia të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejmë

Gjermania është e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe u bën thirrje të dyja palëve të gjejnë një zgjidhje kompromisi, theksoi sot zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse.

“Mund të them se përshkallëzimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën po flasim, po e përcjellim me shumë shqetësim. Ju mund të keni parë që Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell, bëri një deklaratë të qartë në emër të të gjithë anëtarëve. Ne mbështesim përpjekjet e bëra nga Borrell në lidhje me de-eskalimin e situatës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne gjithashtu i mbështesim me të gjitha forcat tona përpjekjet e të dërguarit special të BE-së, Miroslav Lajçak”, tha Sasse në konferencën për shtyp.

Ajo ka kujtuar se Berlini zyrtar në disa raste ka thënë se duhet të ndalet së shikuari në humnerën e skadimit të afateve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Tani po flasim për një afat të tillë. Çështja është se tani duhet të arrihet një kompromis. Apeli ynë urgjent për të dyja palët në konflikt është që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të zgjidhet situata përmes bisedimeve të drejtpërdrejta për këtë konflikt”, tha Sasse.

Zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann, theksoi se në Samitin e Procesit të Berlinit, dhe këtë e tha në fund edhe kancelari Olaf Scholz, u theksua se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje dhe se duhet të punohet për të, me shumë durim dhe forcë të plotë.

Së bashku me Francën dhe partnerët e tjerë evropianë, Gjermania do të përpiqet të mbajë bisedime dhe të arrijë përparim, tha Hoffmann.
Në përgjigje të pyetjes së mediave se Qeveria gjermane ka apeluar që vendimi për targa të mos zbatohet për momentin dhe nëse ka bisedime me Prishtinën për ta pranuar atë, Hoffmann tha se fokusi aktualisht është në bisedime.

LEXO EDHE:

Back to top button