Gjermania nuk ndihmon Afganistanin nëse talibanët marrin pushtetin

Gjermania ka thënë të enjten se do të ndalë mbështetjen financiare për Afganistanin, në rast se talibanët marrin pushtetin.
Duke folur për transmetuesin gjerman, ZDF, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se talibanët e dinë se Afganistani nuk mund të mbijetojë pa ndihmën ndërkombëtare.
“Ne nuk do të dërgojmë asnjë cent për këtë shtet, nëse talibanët marrin plotësisht kontrollin, zbatojnë Ligjin e Sheriatit dhe e kthejnë vendin në kalifat”, ka thënë Maas.
Gjermania dërgon rreth 430 milionë euro si ndihmë për Afganistanin brenda një viti, dhe është një nga donatoret më të mëdha.
Prej kur trupat ndërkombëtare kanë nisur të tërhiqen nga Afganistani në muajin maj, talibanët kanë marrë kontrollin e një pjese të konsiderueshme të territorit.