Gjermania refuzon furnizimin me armatime për Ukrainën
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas deklaroi se kishte pak gjasa ndaj kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për të bindur Gjermaninë për të furnizuar me armë Ukrainën për shkak të konfliktit të vazhdueshëm të Kievit me separatistët e mbështetur nga Rusia.
Maas tha se ishte i bindur se konflikti në Ukrainën Lindore mund të zgjidhej vetëm në nivelin politik.
“Furnizimet me armë nuk ndihmojnë”, theksoi Maas.
Maas shtoi se që nga viti 2014, Gjermania ka siguruar gati dy miliardë euro (2,45 miliardë dollarë) ndihmë për iniciativat civile dhe, së bashku me Francën, vazhdon të mbështesë negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë.
Përgjigjja e Mass erdhi pas deklaratës së Zelensky se ai dëshironte që Gjermania të furnizonte me armë vendin e tij.
Komentet e Zelenskyt për ”Frankfurter Allgemeine Zeitung” rihapin një diskutim që çoi në akuza midis anëtarëve të Partisë së Gjelbër Gjermane javën e kaluar.
”Gjermania nuk na ka dhënë ndonjë ndihmë ushtarake, por mund ta bëjë”, tha Zelensky.
Ai vuri në dukje se Ukraina mund të përdorë raketahedhëse, anije patrullimi, pushkë, pajisje radio dhe automjete të blinduara ushtarake gjermane.
Ai tha se ishte mirënjohës për ndihmën nga Gjermania, por donte më shumë.
Ukraina prej vitesh është përfshirë në një mosmarrëveshje me separatistët e mbështetur nga Rusia, në lindje të vendit.
Tensionet janë përshkallëzuar muajt e fundit, ndërsa trupat ruse u grumbulluan pranë kufirit, megjithëse duket se janë tërhequr që atëherë.
Robert Habeck, një figurë kryesore në Partinë e Gjelbër Gjermane, kohët e fundit udhëtoi në Kiev dhe foli për nevojën e vendit për armë.
Por, komentet e Habeck çuan në grindje javën e kaluar brenda partisë së tij, e cila tradicionalisht është kundër këtyre iniciativave.








