Gjimshiti: Atalanta ka ndryshuar, por identiteti ka mbetur i njëjtë

Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Atalantës, ka dhënë një intervistë për kanalin e “Lega Serie A” në kuadër të formatit “Made in Italy”.
Si u përshtate me futbollin italian?
Fillimi ishte me të vërtetë i vështirë sepse, për të qenë i sinqertë, nuk e kisha ndjekur shumë futbollin italian më parë. Shikoja më shumë futbollin gjerman, sepse është më afër Zvicrës. Edhe në familje shiheshin më shumë ndeshje të Bundesligës. Kur mora telefonatë nga Atalanta, nisa të informohem, pashë ndeshje në televizor dhe ndoqa lojtarët e Atalantës.
A je i njëjti si në fushë, ashtu edhe jashtë saj?
Mendoj se ka ndryshime, madje shumë. Në fushë duhet të kesh dhe të tregosh një lloj lidershipi, natyrisht edhe pak agresivitet, veçanërisht në rolin tim si mbrojtës. Në jetën e përditshme nuk jam ashtu, në shtëpi jam një njeri i thjeshtë. Më pëlqen të jem me familjen, të kaloj kohë me fëmijët e mi.
Cila është gjëja më e bukur që ke arritur me Atalantën?
Ëndrra më e bukur që kam jetuar këtu ka qenë fitorja e ‘Europa League’, çka është si ‘qershia mbi tortë’ dhe gjëja më e rëndësishme që kam arritur në karrierën time. Dua të më kujtojnë si djalë i thjeshtë dhe punëtor, që gjithmonë ka dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet. Shpresoj që të kenë vetëm fjalë të mira për mua, ashtu sikurse unë do të kem gjithmonë për bergamaskët, jo vetëm kur të tërhiqem, apo nëse një ditë do të largohem nga këtu. Shpresoj vetëm të kem lënë kujtime të bukura këto vite”.