Gjimshiti: Do Zoti, do ta mposhtim Serbinë

Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ishte mysafir i veçantë në komunën e Bujanocit, ku u prit nga kryetari Arbër Pajaziti. Një takim simbolik, por me mesazhe të forta, vetëm pak ditë para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi.
Në një atmosferë miqësore, Pajaziti shprehu mirënjohje për rolin dhe përfaqësimin dinjitoz të Gjimshitit me fanellën kuqezi.
“Ti je model për të gjithë të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Me përkushtimin dhe karakterin tënd, po i jep zë krenarisë sonë kombëtare,” tha ai.
Por përtej fjalëve mirënjohëse, kryetari kishte edhe një porosi të drejtpërdrejtë: “Duhet ta mposhtësh Serbinë!” – një thirrje që u prit me duartrokitje në sallë.
Gjimshiti, me modesti, u përgjigj shkurt: “Me kismet.”
Pas përsëritjes së kërkesës nga një i pranishëm tjetër, mbrojtësi shtoi: “Do Zoti.”