Gjimshiti: Jemi me më shumë përvojë dhe lojtarë që japin gjithçka

Berat Gjimshiti është nga ata lojtarë me shumë përvojë të kombëtares së Shqipërisë që është mësuar me presion që ofrojnë sfida të tilla, si kjo me Çekinë. Mbrojtësi nga Presheva ëndërron të luajë në finalet e një kompeticioni madhor, për të hequr atë “peng” të vitit 2016.
“Grupi sapo është formuar dhe jemi me më shumë përvojë dhe me lojtarë të rinj që japin gjithçka. Besimi është 100%, ndryshe nuk je i duhuri për t’i luajtur këto ndeshjet. Të gjithë ndeshjet janë vendimtare, janë pesë sfida finale.
Çekia ka shumë lojtarë të gjatë, besoj se nuk u afrohemi shumë, por në do të bëjmë futbollin tonë dhe të kemi kujdes me topat në ajër apo goditjet standarde. Nuk është vetëm gjatësia që vendos, duhet të kemi vetëbesim, për të mos ia lënë topin kundërshtarit,” tha fillimisht Gjimshiti.
Në këtë kombëtare, jemi nga të gjitha vendet, Shqipëria, Kosova, Lugina, por çdo lojtar që vjen këtu, e ka një qëllim. Kur luan për kombin, është diçka e papërshkrueshme.
Motivimi nuk mund të them që e kam më të madh se të tjerët. E kam motivimin sa herë që jam me kombëtaren. Do të doja të kualifikohesha si në 2016, edhe pse më pas nuk isha në finalet e Evropianit. Motivimi është shumë i lartë,” tha mes tjerash Berat Gjimshiti.