GJND: Izraeli të parandalojë vdekjet
GJND: Izraeli të parandalojë vdekjet

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar armëpushim në Gazë, por i ka kërkuar Izraelit që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit. Gjykata ka thënë se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë. Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të sigurohet që forcat e tij nuk kryejnë gjenocid dhe marrin masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë. Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji, për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin. Gjykata nuk e ka refuzuar trajtimin e rastit, siç ka kërkuar Izraeli. Ndalja e luftimeve në Gazë ka qenë kërkesa kryesore e Afrikës së Jugut.
“Me 15 vota ndaj dy, Izraeli duhet të sigurojë në mënyrë të menjëhershme, që ushtria nuk kryen asnjë akt gjenocidal. Me 16 vota ndaj 1, Izraeli duhet të parandalojë dhe ndëshkojë çdo koment publik që mund të konsiderohet nxitje për të kryer gjenocid në Gaza. Me 16 vota ndaj një, shteti i Izraelit duhet të marr masa në mënyrë të menjëhershme, të sigurojë shërbimet bazike dhe ndihmë humanitare për palestinezët. Me 15 vota ndaj dy, Izraeli duhet patjetër të dorëzojë një raport në gjykatë me masat që marrin për t’i dhënë efekt këtij urdhri, brenda një muaji nga dhënia e këtij urdhri”, deklaroi Joan Donoghue, Gjykatëse. /Alsat.mk