Gjumin cilësor nuk e vendos se kur ngriheni në mëngjes, por kur bini të flini

Gjumin cilësor nuk e vendos se kur ngriheni në mëngjes, por kur bini të flini

Gjumi është një nga shtyllat kryesore të shëndetit, por nuk është vetëm sasia e tij që ka rëndësi. Një studim i fundit nga Universiteti i Stanfordit ka zbuluar se koha kur shkojmë në shtrat ndikon ndjeshëm në shëndetin tonë mendor.

Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 74,000 personave nga databaza britanike UK Biobank dhe dolën në përfundimin se zakonet e gjumit lidhen ngushtë me gjendjen psikologjike të individit.

Rezultatet e studimit treguan se personat që priren të flenë vonë dhe të zgjohen po ashtu vonë – të njohur shpesh si ‘bufë nate’, janë më të rrezikuar nga depresioni, ankthi dhe çrregullime të tjera mendore.

Kjo ndodh edhe në rastet kur ata flenë për një kohë të mjaftueshme, çka tregon se sasia e gjumit nuk mjafton në vetvete për të garantuar mirëqenie të plotë.

Nga ana tjetër, ata që shkojnë në shtrat më herët dhe zgjohen në orët e para të ditës rezultuan të kenë shëndet mendor më të qëndrueshëm.

Sipas profesor Jamie Zeitzer, i cili drejtoi studimin, orët e vona të natës janë më të lidhura me sjellje të dëmshme si ushqyerja e tepërt, konsumimi i alkoolit apo mendime vetë-shkatërruese, të cilat ndikojnë negativisht në gjendjen psikologjike.

Rekomandimi i studiuesve është i qartë: përpiquni të flini para orës 1 të mëngjesit. Edhe nëse jeni mësuar të qëndroni zgjuar deri vonë, ndryshimi gradual i orarit të gjumit mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin mendor dhe trupor.

Për të arritur një gjumë cilësor, është e rëndësishme të krijoni një rutinë të qëndrueshme. Shmangni përdorimin e pajisjeve elektronike para gjumit, krijoni një ambient të qetë dhe pa drita të forta, dhe kufizoni kafeinën pasdite. Po ashtu, një dietë e balancuar dhe aktiviteti fizik i rregullt ndihmojnë trupin të ruajë një ritëm të shëndetshëm biologjik.

Ndryshimet në rutinën tuaj të përditshme, sado të vogla, mund të ndikojnë pozitivisht në humorin, energjinë dhe mirëqenien tuaj të përgjithshme. Nëse keni probleme të vazhdueshme me gjumin, është e rëndësishme të konsultoheni me një specialist për të kuptuar shkakun dhe për të gjetur zgjidhjet më të përshtatshme. Syri.net-iefimerida

LEXO EDHE:

Back to top button