Gjurçova: Koçani është pasojë e korrupsionit
Gjurçova: Koçani është pasojë e korrupsionit

Gazetar: Suad Bajrami
Tragjedia e Koçanit në të cilën humbën jetën 62 persona është pasoja e korrupsionit. Këtë konstatuan folësit në seancën e organizuar nga Konventa Nacionale për BE me temë “Lufta kundër korrupsionit nëpërmjet transparencës”. Mileva Gjurçova, kryetare e Lëvizjes Evropiane theksoi se pasojat nga praktikat korruptive gjithmonë dalin në pah, qoftë në mënyrë të lehtë apo më brutale.
“Kjo tragjedi është pasojë e praktikave korruptive, epilogu i të cilave gjithmonë është shkatërrues për tërë komunitetin. Korrupsioni, pavarësisht nëse do të jetë i heshtur, i padukshëm ose brutale siç e patëm me këtë ndodhi, ai gjithmonë e tregon natyrën e tij në një mënyrë më tragjike”, tha Mileva Gjurçova, kryetare e Lëvizjes Evropiane Maqedonia e Veriut.
Drejtori i Policisë Financiare, Sllobodan Ivanov theksoi që problemi kryesor me korrupsionin është se zyrtarët më shumë u frikësohen personave të fuqishëm lokalë sesa ligjit dhe pasojave që mund të dalin nga shkeljet ligjore.
“Pas tragjedisë së Koçanit, pas asaj që na ndodhi, patjetër duhet të kuptojmë një çështje. Çdo person zyrtar, qoftë person i autorizuar zyrtar, qoftë polic, qoftë hetues, qoftë punëtor në sportel patjetër të kuptojë, patjetër të krijojmë perceptim që çdo person zyrtar të ketë frikë nga ligji. Jo, frikë nga të fuqishëm lokalë të cilët vendosen mbi ligjin. Këtu vlerësoj se është problemi kryesor”, u shpreh Sllobodan Ivanovski, drejtor i Policisë Financiare.
Sipas këshilltarit shtetëror për çështje evropiane, Dragan Tilev, nëse do të ishin respektuar standardet evropiane, tragjedia mbase nuk do të kishte ndodhur. Ai porosit që të kyçet alarmi, jo vetëm për të nisur bisedimet me BE-në, por për të funksionuar shteti dhe për të parandaluar tragjedi të këtilla.
“Vlerësoj se nëse dispozitat evropiane dhe veçanërisht standardet evropiane teknike do të praktikoheshin, zbatoheshin në tërësi dhe mbikëqyreshin, atëherë tragjedia në Koçan ose nuk do të ndodhte ose nuk do të ishte me pasoja të tilla tragjike me të cilat u përballëm. Dhe për atë, ky duhet të jetë alarmi i zgjimit edhe pse sinjale të tilla kemi pasur më shumë në vitet e fundit, por dukshëm duhet sinjal më i fortë që të zgjohen institucionet dhe tërë shoqëria”, theksoi Dragan Tilev, këshilltar shtetëror për çështje evropiane.
Nga Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut japin rekomandime për transparencë më të lartë nëpër institucione si mjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit./ Alsat.mk