Gjykata Administrative e promovoi softuerin digjital

Gjykata Administrative e promovoi softuerin digjital

Gazetar: Suad Bajrami

Në prezencë të kreut të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial, Gjykata Administrative e promovoi softuerin për lidhje digjitale me organet publike dhe Gjykatën e Lartë Administrative. “EPSUS”, një softuer i ndërtuar nga Edusoft, do të jetë platforma digjitale, e cila duke qenë e ndërlidhur me institucionet e tjera, do të mundësojë që procedurat të kryhen në mënyrë elektronike, me çka parashikohet të palëve t’u kursejë energji, kohë dhe para. Plotësisht, sistemi do të mundësojë edhe krijimin e dosjeve digjitale, të cilat do të udhëhiqen nga kjo gjykatë.

“Qëllimi i platformës është këmbimi i akteve juridike, shkresave dhe dokumenteve mes gjyqësisë administrative, subjektet juridike, organet publike dhe personat fizik. Benefitet të cilat duhet t’i ofrojë kjo platformë janë, shkurtimi i kohës dhe shpenzimet ndaj qytetarëve, subjekteve juridike dhe institucioneve” – Përfaqësues i “Edu Soft”.

Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini theksoi që vegla është e sigurt, ndërsa qasja në të bëhet me verifikim të dyfishtë nga ana e shfrytëzuesit.

“Mundësitë për keqpërdorime janë kufizuara. Çdo shfrytëzues, siç e patë, Komuna e Shtipit, personi i autorizuar i Komunës së Shtipit mund të ketë qasje në EPUS. Personi i autorizuar i Gjykatës Adminsitrative, personi i autorizuar i Gjykatës së Lartë Administrative dhe normalisht gjykatësit që do të punojnë në vetë softuerin, apo EPUS-in”, tha Burim Sejdini, Kryetar i Gjykatës Administrative.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski, i cili ka mbështetur projektin nga aspekti financiar, theksoi që investimi në gjyqësor nënkupton investim në besim.

“Ky projekt ka rëndësi të trefishtë. E para, është konfirmim praktik se investimi në gjyqësor nuk nënkupton shpenzim, por vlerë të matur në kohë, siguri juridike dhe besim. Me integrimin digjital e shkurtojmë procedurën, i zvogëlojmë shpenzimet dhe e minimalizojmë faktorin njeri, atje ku nuk duhet të jetë pengesë, por mbështetje”, deklaroi Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Sistemi prej sot është vënë në fuqi dhe përveç përfaqësuesit e institucioneve dhe subjektet juridike, atë mund ta përdorin edhe qytetarët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button