Gjykata Kushtetuese hap procedurë për Kodin Penal, kontestohet ulja e dënimeve
Gjykata Kushtetuese hap procedurë për Kodin Penal, kontestohet ulja e dënimeve

Gazetar: Suad Bajrami
Gjykata Kushtetuese votoi për të hapur procedurë për dy nismat që kontestojnë ndryshimet skandaloze të Kodit Penal të shtatorit të vitit 2023, me të cilat u ulën dënimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shoqërimit kriminal, por edhe u liruan nga ndjekja penale disa funksionarë dhe u mbyllën disa raste të korrupsionit të lartë.
Gjatë diskutimit, të gjithë gjykatësit u pajtuan me faktin se këto ndryshime kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm, megjithatë debati u fokusua nëse Gjykata Kushtetuese ka kompetenca që të vlerësojë procedurën e miratimit të ligjit dhe të drejtën e ligjvënësit për të vendosur për politikën sanksionuese.
Gjykatësja raportuese Elizabeta Dukovska, propozoi që të mos hapet procedurë pasi në rrethanat ekzistuese, ata nuk janë kompetentë për të vendosur nëse ndryshimet janë miratuar sipas rregullores së Kuvendit dhe nëse deputetët e kanë keqpërdorur flamurin evropian gjatë miratimit. Në një linjë me qëndrimin e Dukovskës, ishin edhe gjykatësit Fatmir Skender dhe Dobrilla Kacarska, të cilët theksuan se pavarësisht se ata si qytetarë nuk pajtohen me këto ndryshime, ata si gjykatës nuk mund të interpretojnë qëllimet e ligjvënësit.
“Ashtu siç është miratuar, nuk ka shkelje te Kushtetutës dhe për mua nuk është problematik nga aspekti kushtetues”, theksoi Skender.
Kacarska tha se Kushtetuta është e qartë se politikën ndëshkuese e cakton kuvendi, ndërkaq zgjidhja është te miratimi i Kodit të ri Penal.
Megjithatë, mendime diametralisht të kundërta kishin kreu i Gjykatës, Darko Kostadinovski, por edhe kolegët e tij Osman Kadriu e Ana Pavllovska Daneva.
“Ky ligj në tërësi është aq i dëmshëm sa që ka bërë dëm të parikuperueshëm në shtetin ligjor. Sido që të jetë vendimi, dyshoj që dëmet do të rikuperohen”, tha Kostadinovski, duke nënvizuar se Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ në shtet që mund t’i del përpara legjislativit ndaj një veprimi anarkik të Kuvendit, i cili duke demonstruar fuqi, me arrogancë dhe manipulim ka sjellë këto ndryshime.
Osman Kadriu, i cili kishte një elaborim të gjerë dhe të ashpër kundër miratimit të ndryshimeve të Kodit Penal, tha se nuk është e saktë që Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për të vlerësuar procedurën e miratimit të ligjeve. Kadriu, i cili ndryshimet i cilësoi antikushtetuese, theksoi se opinioni ende nuk e di se kush është grupi i ekspertëve që është konsultuar për këto ndryshime ligjore, ndërkaq absurd është që kohëzgjatja e miratimit të këtyre ndryshimeve ka qenë vetëm dy ditë, pa debat publik dhe në mënyrë jotransparente.
Ndryshimet i quajti antikushtetuese edhe Pavllovska Daneva. Sipas saj, është kontradiktore se si dispozitat shpëtuese të funksionarëve kanë hyrë në fuqi menjëherë, ndërkaq dispozitat për ekocid kanë hyrë në fuqi pas gjashtë muajsh. “De fakto dhe dejure ka pabarazi mes qytetarëve”, tha Daneva, e cila mbështeti qëndrimin se nuk ka organ tjetër, pos Gjykatës Kushtetuese që mund ta vlerësojë formalitetin e miratimit të ligjeve nga ana e Kuvendit.
Procedurën e mbështeti edhe Jadranka Daboviq Anastasovska, e cila tha se nëse krimi dhe korrupsioni janë në rritje, është e çuditshme pse janë ulur dënimet për këto vepra. Ndërkaq, Tatjana Vasiq Bozaxhieva, theksoi se me hapjen e procedurës, do të bëhet trysni. Naser Ajdari, shprehu mëdyshje pasi që pavarësisht se ndryshimet e Kodit Penal janë të dëmshme, praktika tregon se Gjykata Kushtetuese nuk është kompetent të vendos.
Sipas procedurës, fillimisht Gjykata Kushtetuese dërgon raport deri në Kuvend me njoftim se ka dyshim në kushtetutshmërinë e ligjit dhe i jep afat për të intervenuar, respektivisht t’i ndryshojë dispozitat. Në rast Kuvendi nuk i ndryshon, hartohet referat për shfuqizimin ose anulimin e dispozitave. Ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në kohën e pushtetit LSDM-BDI duke shpëtuar qindra funksionarë të cilët kanë rrezikuar dënime me burg për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ekspertët, por edhe bashkësia ndërkombëtare kanë dërguar kritika të ashpra, pasi që me këto ndryshime është dobësuar kuadri ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në çështjet e nivelit të lartë. /Alsat.mk