Gjykata Kushtetuese mbetet edhe pa një gjykatës

Gazetar: Igor Stefanovski
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, apeloi publikisht te deputetët që të zgjedhin gjykatës kushtetues, shkruan Alsat. Edhe pse Gjykata Kushtetuese duhet të funksionojë me 9 gjykatës, nga mesi i janarit do të punojë vetëm me pesë, sepse në atë muaj i mbaron mandati edhe njërit prej gjykatësve. Në një përbërje të tillë, Gjykata Kushtetuese do të mund të caktojë dhe të mbajë seanca, por do të përballet me probleme reale.
“Problemi është nëse së paku njëri nga gjykatësit pengohet të marrë pjesë në seancë, në atë rast do të duhet të shtyjmë edhe seancat e parapara. Dhe sigurisht problem është sjellja e vendimeve. Pra, të pesë gjykatësit duhet gjithmonë të jemi unanim, vendimet duhet të merren unanimisht, po sikur të paktën një gjykatës të ketë mendim ndryshe, nga katër të tjerët?”, deklaroi Dobrila Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykatës Kushtetuese i duhen edhe katër gjykatës për tu kompletuar.
“Unë jam e obliguar t’i njoftoj për përfundimin e mandatit, dhe ata janë të detyruar të zgjedhin gjykatës. Gjatë komunikimit me ta, ata vazhdimisht më thonë se gjykatësit do të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur… Kam një ndjenjë që Kuvendi dëshiron ta injorojë Gjykatën Kushtetuese”, tha Dobrila Kacarska, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë 11 lëndë në sirtar, pikërisht për shkak të numrit jo të plotë të gjykatësve. Gjykatësit e rinj do të zgjidheshin përfundimisht në fund të janarit, ose në fillim të shkurtit. Fillimisht duhet të formohet qeveria e re, pastaj zgjedhja e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime./Alsat.mk