Gjykata Supreme amerikane “kufizon fuqinë e gjyqtarëve për të bllokuar urdhrat e Trump”
Gjykata Supreme amerikane “kufizon fuqinë e gjyqtarëve për të bllokuar urdhrat e Trump”

Gjykata Supreme amerikane ka vendosur që gjykatësit individualë nuk kanë autoritet që të lëshojnë urdhra ndalues që vlejnë për mbarë vendin.
Por, vendimi nuk e qartëson se çfarë do të ndodhë me rregullat e vendosura nga presidenti Donald Trump që e kufizojnë të drejtën e marrjes së shtetësisë amerikane vetëm nga lindja në SHBA.
Ky vendim konsiderohet një fitore për presidentin republikan, i cili është ankuar se gjykatësit e gjykatave më të ulëta kanë bllokuar agjendën e tij përmes lëshimit të urdhrave ndalues.
Megjithatë, shumica konservatore në Supreme la të hapur mundësinë që ndryshimet për shtetësinë e fituar përmes lindjes në SHBA të mbeten të bllokuara në nivel kombëtar.
Urdhri i Trumpit do t’u mohonte shtetësinë fëmijëve të lindur në SHBA nga prindër që qëndrojnë ilegalisht në shtet.
Sipas shtetësisë së përfituar nga lindja, të gjithë personat që kanë lindur në SHBA automatikisht bëhen shtetas amerikan, përfshirë edhe fëmijët e lindur nga nënat që qëndrojnë ilegalisht në shtet.
Kjo e drejtë ishte përfshirë në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane pas Luftës Civile.
Në një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1898, gjykata vendosi se të gjithë fëmijët e lindur në territorin amerikan fitojnë automatikisht shtetësinë amerikane me disa përjashtime.
Në këto përjashtime bëjnë pjesë fëmijët e diplomatëve që kanë detyrime ndaj një qeverie tjetër, fëmijët e armiqve që ndodhen në SHBA gjatë një pushtimi, fëmijët e lindur në anije të huaja dhe fëmijët e fiseve indigjene sovrane amerikane.
Administrata Trump ka argumentuar se fëmijët e lindur nga persona që nuk janë shtetas amerikanë nuk janë “nën juridiksionin” e SHBA-së – shprehje që gjendet në Amendamentin e 14-të – dhe prandaj nuk kanë të drejtë për shtetësi.
Por shtetet, emigrantët dhe grupet për të drejtat e njeriut që ngritur padi me qëllim që të bllokojnë këtë urdhër ekzekutiv, dhe e kanë akuzuar administratën se po përpiqet të minojë interpretimin e gjerë të shtetësisë të përfituar përmes lindjes në SHBA, që është pranuar që nga miratimi i këtij amendamenti.
Gjyqtarët në të gjitha rastet e deritanishme kanë vendosur kundër administratës së Trumpit.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka argumentuar se gjyqtarët individualë nuk kanë fuqinë të marrin vendime që vlejnë në nivel vendi.
Administrata Trump kërkoi nga Gjykata Supreme që plani i presidentit të zbatohej për të gjithë, përveç atyre pak individëve dhe grupeve që kanë ngritur padi.
Nëse kjo nuk do të bëhej, administrata propozoi që zbatimi i planit të mbetej i pezulluar vetëm në 22 shtetet që kishin ngritur padi.
Shteti i Nju Hampshajërit përfshihet në një urdhër të veçantë që nuk ishte subjekt i këtij rasti.
Administrata amerikane po ashtu ka kërkuar që të lejohet t’i bëjë publike planet për mënyrën se si synon ta zbatojë këtë politikë, nëse më vonë gjykata vendos të lejojë zbatimin e saj. /REL/