Grenell emërohet për të shërbyer në Këshillin Memorial të Holokaustit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën më 22 dhjetor, njoftoi planet për të emëruar një numër tjetër të aleatëve të tij kryesorë në borde të ndryshme qeveritare, e cila është një shenjë tjetër që presidencës së tij po i vjen fundi, shkruan Politico.
Trump ka caktuar, Hope Hicks, si një anëtare bordi që mbikëqyr bursën prestigjioze Fulbright. Hicks ka qenë prej kohësh një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Trumpit – jashtë familjes së tij – dhe u kthye në Shtëpinë e Bardhë këtë vit pasi u largua më herët gjatë presidencës së tij.
Presidenti gjithashtu ka nominuar ish-prokuroren e Përgjithshme të Floridas, Pam Bondi si një anëtare bordi të Qendrës John F. Kennedy, si dhe sekretarin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Derek Lyons.
Trump gjithashtu zgjodhi, Ezra Cohen-Watnick, nënsekretar i mbrojtjes për inteligjencën dhe sigurinë, për të kryesuar Komitetin e Deklasifikimit të Interesit Publik.
Richard Grenell, ish-ambasador amerikan në Gjermani dhe ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare si dhe i dërguar i posaçëm i presidentit për dialogun Kosovë-Serbi, u emërua për të shërbyer në Këshillin Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.
Të emëruarit janë në mesin e më shumë se 40 personave të emëruar në “pozicione kryesore” të ndryshme në panele si Komisioni i Arteve të Bukura, Bordi i Shërbimeve të Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Korporata për Benifitet Pensionale.
Lista përfshin njerëz që kanë kontribuar në fushatat politike të Trump, si dhe Paolo Zampolli i cili u mburr se ai e ka prezantuar Trump me Zonjën e Parë, Melania Trump. Zampolli u emërua për një pozicion në bordin e Qendrës Kennedy.