Grubi nuk komenton përfaqësimin e shqiptarëve në njësitin “Tigrat”

Për 4 dekada të plota, asnjë shqiptar nuk është pjesë e njësitit special policor “Tigrat”. Në shënimin e 40 vjetorit të formimit të këtij njësiti, në të cilën asnjëherë nuk shkeli këmba e policit shqiptar ishte i pranishëm edhe zv/kryeministri, Artan Grubi. I pyetur për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve, nuk deshi të prononcohej me arsyetimin se nuk janë paraparë deklarata për mediat pas ngjarjes. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme mohon që dyert e njësitit elitar “Tigrat” të jenë të mbyllura për shqiptarët. Sipas MPB-së çdo kush që plotëson kushtet mund të bëhet “Tigër”.

Në njësinë speciale të anti-terrorit “Tigrat” punojnë zyrtarë policorë të cilët i kanë kaluar testet përkatëse dhe absolutisht nuk është e rëndësishme se cilës përkatësi entike i takon. Ashtu siç nuk është e rëndësishme për asnjë njësi tjetër në kuadër të MPB-së. Vazhdimisht ka konkurse për t’iu bashkuar njësisë, në të cilat mund të paraqiten zyrtarët policorë, pavarësisht cilës përkatësi etnike i takojnë – njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Në përvjetorin e njësiti “Tigrat” ishte i pranishëm edhe zv/ministri i Brendshëm Nazim Bushi, por nga qëndrimi i MPB-së që ai përfaqëson, nuk flitet asnjë fjalë nëse ai po bën ndonjë përpjekje për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë njësit. Ndërsa për kritere të rrepta të pranimit në 40 vjetorin e njësitit “Tigrat” foli edhe Komandanti i njësisë, Danevski.

Kjo strukturë dhe kriteret e larta për zgjedhje dhe trajnim të kuadrove, njësisë i mundësoi vazhdimësi në funksionimin dhe përshtatje ndaj nevojave për përgjigje efikase ndaj të gjitha sfidave -tha Mitko Danevski, Komandat i njësisë speciale “Tigrat”.

Tre vjet më parë, arsyetimin e njëjtë e kishte dhënë i pari i Policisë. Spasovski kishte deklaruar se uniforma e Tigrave nuk mbahet në bazë të përkatësisë etnike a fetare, por në bazë të përgatitjes. Por ish zëvendësi i Spasovskit, Agim Nuhiu kishte pranuar se shqiptarët kishin qenë të përjashtuar nga kjo njësi speciale pikërisht për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Me rëndësi është cilësia. Nuk është me rëndësi kush cilit komunitet etnik i përket në Maqedoni – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Unë nuk mund të futem tek shkaqet por me siguri që ka pasur shkaqe të natyrave të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe paragjykimet edhe mbi baza etnike – deklaroi kohë më parë Agim Nuhiu, Ish ministër i Brendshëm.

Pos në njësinë speciale policore, përfaqësimi i shqiptarëve le për të dëshiruar edhe në njësitë elitare ushtarake, si Ujqit, Renxherët dhe Skorpionët.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button