Guardiola i jep fund diskutimit për trajnerin më të mirë në botë
Pep Guardiola i ka dhënë fund debatit për trajnerin më të mirë mes tij dhe ish-trajnerit të Man. Junajtedit, sir Aleks Ferguson. Kur bëhet fjalë për trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, Guardiola dhe Ferguson zakonisht shoqërohen edhe nga emra të tjerë si Hoze Mourinjo, Karlo Ançeloti, Bob Pesli dhe Jyrgen Klop.
Guardiola ka fituar në total 12 tituj të ligës gjatë karrierës së tij si trajner, në Spanjë me Barcelonën, në Gjermani me Bajern Munihun dhe në Angli me Man. Sitin. Sa i përket Fergusonit, ai ka fituar 13 tituj të Premier Ligës gjatë 26 viteve të qëndrimit si trajner i Unitedit, duke shtuar këtu edhe tre tituj në Skoci me Aberdinin. Në skenën evropiane, 53-vjeçari ka të fituara tri Liga të Kampionëve, dy nga koha e tij tek Barcelona dhe një me Man. Sitin në vitin 2023 ku fituan tripletën.
Guardiola sidoqoftë ka treguar respekt të madh për 82-vjeçarin, i cili u lirua nga roli i tij si ambasador i Man. Junajted, javën e kaluar.
“Në këtë vend (Angli) dhe në të gjithë botën, sir Aleks Ferguson është më i miri. Për kohën, për ndryshimin e skuadrave, për trofetë. Të jem afër njërit prej trajnerëve më të rëndësishëm të të gjitha kohërave është shumë e madhe. Është një nder i jashtëzakonshëm për mua dhe për stafin, të gjithë asistentët dhe lojtarët që kam pasur”, përfundoi Guardiola.