Guardiola mbetet pa mbrojtësin portugez për plot një muaj

Telashe në horizont për Mançester Sitit teksa mbrojtësi Ruben Dias pritet të mungojë për një muaj. Mbrojtësi portugez mund të humbasë deri në pesë ndeshje për “Qytetarët”, mes tyre edhe përballjet e rëndësishme ndaj Çellsit e mbi të gjitha derbin e 14 janarit ndaj rivalëve të Man. Junajted.
Mbrojtësi 25-vjeçar pësoi një dëmtim në kofshë gjatë ndeshjes së Portugalisë në fazën e 1/8-tave me Zvicrën në Botërorin e Katarit, megjithatë vijoi të luante edhe pse me probleme. E njëjta situatë u përsërit edhe në sfidën me Marokun teksa Dias preferoi të sakrifikonte për kombëtaren duke qëndruar për 90 minuta në fushë.
Diçka e tillë duket se i ka kushtuar shtrenjtë luzitanit teksa trajneri Pep Guardiola njoftoi se Dias nuk është rikthyer në stërvitje, ndërsa tekniku spanjoll pritet t’i besojë tashmë më shumë minuta edhe të riut Riko Luis me 18-vjeçarin që dha sinjale tejet pozitive në ndeshjen ndaj Liverpullit.