Guardiola “numëron” kilogramët, kush e tepron do të mbetet jashtë ekipit

Pep Guardiola u ka bërë të qartë lojtarëve të Mançester Sitit se pushimet e Krishtlindjeve nuk janë justifikim për të humbur formën. Pas tre ditësh pushim, trajneri spanjoll tha se do të kontrollojë peshën e çdo lojtari dhe se ata që kthehen me kilogramë shtesë nuk do të luajnë ndaj Notingam Forest.

“Ata kthehen më 25 dhe unë do të jem atje duke kontrolluar se sa kilogramë shtojnë,” deklaroi Guardiola.

 

“Imagjinoni një lojtar perfekt që vjen me tre kilogramë më shumë. Ai do të qëndrojë në Mançester. Nuk udhëton,” shtoi trajneri spanjoll.

Guardiola, i njohur për disiplinën strikte, theksoi se zgjedhja e ekipit për ndeshjen e 27 dhjetorit do të varet nga gjendja fizike.

“Ata mund të hanë, por unë dua t’i kontrolloj. Duhet të bëj një përzgjedhje për ndeshjen,” u shpreh ai, duke rikujtuar se standardet e kondicionimit janë të panegociueshme.

Megjithatë, trajneri pranoi se pushimi mendor është po aq i rëndësishëm.

“Javën tjetër kam pushime, do të jem me familjen dhe me shampanjë,” tha Guardiola, duke shtuar se kalendari i ngjeshur kërkon shkëputje.

Man. Siti vjen nga fitorja 3-0 ndaj Uest Hemin dhe është dy pikë pas Arsenalit kryesues pas 17 ndeshjeve.

LEXO EDHE:

Back to top button