Guvernatori i Nju Jorkut i mohon akuzat për ngacmim seksual

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se “i vjen keq” që i ka bërë gratë të mos ndjehen rehat, por mohoi se ka prekur dikë në mënyrë të papërshtatshme.

Tri gra e akuzuan së voni atë për ngacmim seksual.

Në komentet e para publike në lidhje me akuzat, Cuomo tha se ndjehet “i turpëruar” që veprimet e tij i kanë bërë gratë të mos ndjehen rehat në punë.

“Nuk ka rëndësi qëllimi im. Nëse gratë janë ofenduar prej tij, ishte gabim. Nëse janë lënduar, unë kërkoj falje”, tha Cuomo.

Ai kërkoi nga publiku që t’i presë “faktet”, përpara se të nxjerrë konkluzione, dhe shtoi se e mbështet të drejtën e grave për të folur.

Prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut ka hapur një hetim mbi pretendimet dhe do të paraqesë një raport mbi gjetjet.

Guvernatori demokrat tha se nuk do të japë dorëheqje, me gjithë thirrjet nga partia e tij që ta bëjë një gjë të tillë.

Për çfarë akuzohet Cuomo?

Një ish-ndihmëse e lartë e Cuomos, Lindsey Boylan, ka thënë se guvernatori e ka prekur atë pa pëlqimin e saj dhe se shpesh ka bërë komente të papërshtatshme për pamjen e saj.

Ish-ndihmësja tjetër, Charlotte Bennett, ka thënë se guvernatori i ka bërë shpesh pyetje personale, që, sipas saj, ishin përpjekje e qartë për marrëdhënie seksuale.

Gruaja e tretë, fotografja Anna Ruch, ka thënë se Cuomo i ka prekur fytyrën dhe i ka kërkuar ta puthë në një dasmë.

LEXO EDHE:

Back to top button