Hagë, mbrojtja ankohet për qasjen në dëshmi

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur konferenca statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit kanë paraqitur kërkesa me shkrim që të kenë qasje në intervistat dhe dokumentet e tjera të dëshmitarëve.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se bëhet fjalë për deklaratat e 19 dëshmitarëve. Prokuroria tha se janë duke punuar që të nxjerrin materialet, por theksoi se kërkesa e mbrojtjes ka të bëjë me deklaratat paraprake dhe jo për intervistat e dhëna pranë Prokurorisë.

Por, avokati i Thaçit, David Hooper u shpreh kritik ndaj sistemit të nxjerrjes së materialeve, duke e cilësuar atë si jo të dobishme, ndërkaq theksoi se atmosfera në mes të mbrojtjes dhe prokurorisë është “gjithnjë e jo më bashkëpunuese”.

“Nxjerrja (e materialeve) të bëhet e vazhdueshme. Të na jepet komplet, shembull paketën e dëshmitarit A dhe çdo dokument që lidhet me të, që ta mund ta shqyrtojmë deklaratën e tij”, tha ai, duke shtuar se mbrojtja po ashtu kërkon një listë paraprake të dëshmitarëve që prokuroria dëshiron t’i përdor në gjykim.

Ai po ashtu kërkoi që të ketë dokumente të lidhjes së dëshmitarëve dhe materialeve që i dorëzohen mbrojtjes.

Hooper madje tha se ndonëse prokuroria iu ka ofruar dokumentin prej 60-70 faqesh të intervistës së Thaçit para Dhomave të Specializuara – që e ka dhënë në korrikun e kaluar – ky institucion nuk i ka ofruar mbrojtjes dokumentet që i janë paraqitur Thaçit gjatë intervistimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake. Nicolas Guillou tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar, në të ardhmen duhet të prioritizojë nxjerrjen e materialeve që kanë të bëjnë me dëshmitarët, dhe të cilat mund të jenë materiale shfajësuese. Giullou po ashtu tha se prokuroria duhet t’i nxjerrë intervistat e dëshmitarëve në të njëjtën dosjen e nxjerrjes së informacioneve.

“Kjo do ta ndihmonte mbrojtjen në punën e saj”, tha ai.

Në këtë konferencë, të akuzuarit po marrin pjesë përmes video-konferencës.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur u është konfirmuar aktakuza ndaj tyre. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /REL

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button